Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka reaguar pas aksionit të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, ku u konfiskuan rreth 40 tonë kanabis, duke e cilësuar këtë ndër sekuestrimet më të mëdha të realizuara deri më tani në vend, shkruan zyrtare.
Sipas Fetait, ky operacion përfaqëson një goditje serioze ndaj rrjeteve të organizuara kriminale, duke dëshmuar se Qeveria ka vendosur të godasë rrënjët e krimit dhe jo vetëm majat e tij.
“Kur flasim për dhjetëra tonë drogë, nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për rrjete të tëra, të ngritura me vite. Ky aksion është një sinjal i qartë se koha e paprekshmërisë po mbyllet dhe se shteti po vepron me vendosmëri”, theksoi Fetai.
Ai përshëndeti punën e institucioneve të rendit dhe drejtësisë, duke e konsideruar operacionin si mesazh të fortë se shteti po merr përgjegjësinë për të mbrojtur shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e qytetarëve.
Fetai shtoi se kushdo që është pasuruar duke shkatërruar jetë duhet të dalë përballë drejtësisë dhe se ky proces duhet të shkojë deri në fund./Zyrtare













