Këngëtari i njohur maqedonas, strugani Daniel Kajmakoski, është rrëmbyer mbrëmë në Beograd, në afërsi të “Beton Hala”, njoftoi media serbe Blic, e cila publikoi edhe një video ku shihet se si rrëmbyesit vrapojnë me të drejt një xhipi të bardhë dhe nuk i binden urdhrit të policisë për t’u ndalur.
Kjo dramë e vërtetë ka ndodhur në rrugën “Karagjorgjeva” në Beograd, kur policia u përpoq të ndalonte një Volvo XC60 të bardhë të dyshimtë. Shoferi nuk e respektoi urdhrin, theu bllokadën policore dhe me shpejtësi të madhe vazhdoi arratisjen drejt urës së Brankos.
Ndjekja vazhdoi nëpër Beogradin e Ri, pas së cilës automjeti u kthye në autostradë në drejtim të Shidit. Në aksion morën pjesë njësi elitare të MPB-së, përfshirë UKP-në, SAJ-in dhe xhandarmërinë.
Ndjekja përfundoi pas pikës së pagesës në Šimanovci kur shoferi i Volvos humbi kontrollin dhe u përplas me gardhin mbrojtës. Dy sulmuesit e armatosur arritën të iknin para se të mbërrinte policia. Pjesëtarë të UKP-së e gjetën Kajmakoskin të lidhur brenda automjetit.
Mediat serbe raportojnë se sulmuesit janë dy shtetas turq, të armatosur dhe të rrezikshëm, ndaj të cilëve është shpallur kërkim urgjent. Të gjitha rrugët kyçe në Srem u bllokuan, ndërsa në operacion u përfshinë qen gjurmues dhe dronë.













