EVN-Strugë i ndërpret rrymën NP “Ujësjellës dhe Kanalizime”-Strugë për shkak të borxhit të akumuluar.
EVN ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për Ndërmarrjen Publike “Ujësjellës dhe Kanalizime” për shkak të një borxhi të madh të akumuluar ndër vite. Sipas burimeve, detyrimet financiare janë krijuar si pasojë e mospagesave të vazhdueshme për një periudhë disa vjeçare.
Ndërprerja e energjisë ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët, duke shkaktuar mungesë të furnizimit me ujë në disa zona. Stacionet e pompimit dhe objektet kryesore të ujësjellësit, të cilat varen nga energjia elektrike, nuk kanë funksionuar normalisht pas vendimit të EVN-së.
Qytetarët janë shprehur të shqetësuar për situatën, duke kërkuar zgjidhje urgjente nga institucionet përgjegjëse. Ndërkohë, pritet që drejtuesit e NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” dhe përfaqësuesit e EVN-së të zhvillojnë bisedime për gjetjen e një marrëveshjeje që do të mundësonte rikthimin e energjisë dhe normalizimin e furnizimit me ujë.
Autoritetet lokale pritet te japin një deklaratë zyrtare lidhur me hapat e mëtejshëm për zgjidhjen e kësaj situate.
(Struga Ekspres)













