“Nuk mbulohet dielli me shoshë”, reagon Fetai: BDI/AKI-së i urojmë opozitë të gjatë
Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai ka komentuar procesin e mbylljes së zgjedhjeve lokale.
Sipas Fetait, fitorja në Gostivar dhe Vrapçisht nuk mund të shitet si triumf i opozitës, sepse VLEN është fitues i pakontestueshëm i zgjedhjeve të 19 tetorit me 10 komuna të fituara dhe kjo përbën fakt të qartë.
Opozitës, shton ai, gjithçka i shkoi huq, së pari me Frontin, pastaj AKI-në dhe në fund me referendumin.
“Gjatë gjithë vitit dëgjuam e pamë gjithçka nga një opozitë e çoroditur. Njëherë bërtisnin si “Front” pse përfunduan në opozitë. Pastaj si AKI me planin e Grubit, përmes doktorit, tentuan të prodhonin zgjedhje. U doli huq.
Më pas shpikën “referendumin”, duke shëtitur komunë më komunë e duke bërtitur se “shqiptarët shkuan poshtë”. Ndërkohë, aty ku shkonin të bënin teatër, ujë nuk kishte, e për rrugë as që bëhej fjalë”, thekson Fetai.
I gjithë ky rrëfim, shprehet Fetai u përmbys më 19 tetor dhe 2 nëntor me 10 komuna të fituara në konto të VLEN-it.
“Po tani, me fitoren në Gostivar dhe me të njëjtën logjikë edhe në Vrapçisht, duan ta shesin si triumf e me i ra kapak muhabetit. Por s’mbulohet dielli me shoshë.
E kur jemi te Vrapçishti, Zul Demiri shkoi mbi 3 mijë vota, një djalë i ndershëm dhe i pastër për të cilin Vrapçishti mund të krenohet. Sa për Gostivarin, fitorja nuk e shlyen borxhin 30 milionë euro”, thekson Fetai.
Për fund ai ka këtë mesazh për opozitën: mashtrimi politik kurrë s’ka qenë recetë për shtigje të gjata. Prandaj BDI/AKI-së i urojmë vetëm një gjë: opozitë të gjatë, thekson Fetai.













