Shëndetësia 2026 – nga themelet drejt një sistemi që planifikon, parandalon dhe mbron
Në gjysmën e dytë të vitit 2025 mora përgjegjësinë për të udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë me një qëllim të qartë: shëndetësia të mos ketë më nevojë për improvizim, por për arkitekturë. Që nga dita e parë, fokusi im nuk ishte të premtoja zgjidhje të shpejta, por të vendosja themele të qëndrueshme për një sistem që planifikon me kujdes, mat, rishqyrton dhe përmirësohet vazhdimisht.
Gjysma e dytë e vitit 2025 ishte një periudhë e vendosjes së drejtimit zhvillimor. Një kohë e mbushur me dëgjim të vëmendshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe analizë të thelluar të të dhënave, me qëllim që të kuptohej realisht gjendja e sistemit shëndetësor. Ky proces u karakterizua nga puna e qetë dhe e strukturuar, sepse ndryshimet e qëndrueshme në shëndetësi kërkojnë qartësi dhe durim.
Nga reagimi i vonuar drejt menaxhimit në kohë reale.
Një nga mesazhet kyçe që theksova në konferencën time të parë për shtyp ishte se vendimet në shëndetësi duhet të merren mbi bazën e të dhënave reale, dhe jo mbi ndjenja intuitive apo nën presione të momentit, të jashtme apo të brendshme. Në muajt pas qershorit 2025 filloi vendosja e themeleve të një qasjeje të re, të orientuar drejt identifikimit në kohë të rreziqeve, para se ato të shndërrohen në probleme për qytetarët.
Në vitin 2026, kjo qasje bëhet standard. Qëllimi është që Ministria e Shëndetësisë të funksionojë si një sistem që në kohë reale ndjek kapacitetet, ngarkesat dhe burimet njerëzore, dhe që ndërhyn me masa të menduara, proaktive, e jo reaktive.
Investime që krijojnë kapacitet dhe baraza.
Ky vit shënon një fazë të rëndësishme të investimeve kapitale, si rezultat i analizave dhe planifikimit të nisur në gjysmën e dytë të vitit 2025. Me një investim prej 205 milionë eurosh, do të avancojnë projektet për spitalet klinike në Shtip, Tetovë dhe spitalin në Kërçovë. Këto investime nuk do të jenë vetëm ndërhyrje ndërtimore, por pjesë e një politike infrastrukturore për forcimin e kapaciteteve rajonale dhe për uljen e mbingarkesës kronike të klinikave ekzistuese të nivelit terciar.
Sipas analizave tona, rreth 70% e pacientëve që duhet të marrin shërbime në shëndetësinë primare dhe sekondare, për shkak të dobësive sistemike, detyrohen të referohen në nivel terciar. Kjo anomali, përveçse përfaqëson një kosto shtesë për pacientët dhe humbje kohe për ta, përbën edhe një barrë të rëndë për shëndetësinë terciare, duke e vështirësuar ndjeshëm përmbushjen e rolit të saj kërkimor-shkencor dhe ndjekjen e teknologjive dhe protokolleve bashkëkohore, që janë pjesë e trendeve moderne në shëndetësi.
Në drejtim të planifikimit të përgjegjshëm, gjatë këtij viti do të nisë edhe përgatitja e një studimi fizibiliteti për një qendër të re klinike në Shkup, si një hap i domosdoshëm për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të sistemit shëndetësor në vend.
Po ashtu, zgjidhja e problemit të parkimit në kompleksin klinik “Nënë Tereza” në Shkup do të jetë rezultat i një projekti konkret, që tregon se reformat nuk kanë të bëjnë vetëm me strategji të mëdha, por edhe me kushtet e përditshme që ndikojnë drejtpërdrejt te pacientët dhe punonjësit shëndetësorë.
Për herë të parë, shëndetësia i njeh kapacitetet e saj njerëzore.
Një nga proceset më të rëndësishme të nisura në gjysmën e dytë të vitit 2025 është krijimi i bazës së parë të strukturuar të të dhënave për kapacitetet njerëzore në shëndetësi. Për herë të parë, sistemi ndërton një pasqyrë reale për profilet profesionale, shpërndarjen e tyre dhe mungesat kritike.
Në bazë të këtyre të dhënave, në vitin 2026 fillon një ndryshim thelbësor në sistemin e specializimeve dhe në kurrikulat e arsimit specialistik. Specializimet nuk do të krijohen më në mënyrë të izoluar apo mbi baza të kujtesës historike të vjetruar, por do të përshtaten sipas nevojave reale të institucioneve shëndetësore. Në këtë mënyrë, do të vendoset një strukturë më e qartë e specializimeve të përgjithshme dhe subspecializimeve, jo vetëm në nivel terciar, por edhe në shëndetësinë primare dhe sekondare.
Kjo reformë nënkupton kuadro më të planifikuara, shërbime më cilësore dhe një sistem që nuk prodhon specialistë “sipas dëshirës”, por profesionistë që realisht i duhen shëndetësisë dhe qytetarëve.
Digjitalizimi si mjet për transparencë dhe besim.
Që nga qershori 2025, digjitalizimi është vendosur si një shtyllë qendrore e reformës. Këtë vit, kjo qasje konkretizohet përmes strategjisë kombëtare për transformimin digjital të shëndetësisë, me fokus në digjitalizimin e proceseve, rritjen e transparencës dhe marrjen e vendimeve të bazuara në të dhëna.
Digjitalizimi nuk është qëllim në vetvete; për këtë arsye, ai po ndërtohet si mjet për rritjen e llogaridhënies, për zvogëlimin e hapësirës për abuzime dhe për krijimin e një sistemi më të drejtë për çdo qytetar.
Kornizë ligjore për një shëndetësi që parandalon.
Një reformë serioze nuk është e mundur pa një bazë të qëndrueshme ligjore. Për këtë arsye, aktualisht po përgatiten dy zgjidhje ligjore plotësisht të reja në shëndetësi, ndërsa 12 ligje ekzistuese po përshtaten dhe modernizohen, në përputhje me strategjinë, misionin dhe vizionin që po ndërtojmë.
Qëllimi drejt të cilit synojmë në mënyrë sistematike është krijimi i një kornize ligjore që mbështet shëndetësinë parandaluese, dhe jo një sistem që reagon vetëm pasi sëmundja tashmë është shfaqur.
Besimi si obligim i përditshëm.
Reagimet pozitive që kam marrë që nga marrja e mandatit në qershor 2025 nuk i shoh si sukses personal, por si një përgjegjësi shtesë për përkushtim të vazhdueshëm dhe transparencë në ushtrimin e funksionit ministror. Besimi ndërtohet çdo ditë, përmes vendimeve të sakta dhe komunikimit të sinqertë.
Shëndetësia në vitin 2026 nuk do të jetë perfekte, por do të jetë më e planifikuar, më transparente, më e parashikueshme dhe më afër qytetarëve. Tendenca e vendosur çon drejt një sistemi që nuk reagon nga frika, por vepron me dije, të dhëna dhe përgjegjësi. Kjo është drejtimi i shëndetësisë që e nisëm në qershor 2025 dhe që po e vazhdojmë seriozisht dhe me përgjegjësi gjatë vitit 2026.
Ekosistemi modern dhe përgjegjësia jonë
Sot, ekosistemi bashkëkohor shëndetësor në botë funksionon si një rrjet i gjallë, ku klinikat, mjekët, laboratorët, regjistrat, sigurimet dhe vetë qytetarët janë të lidhur përmes të dhënave, standardeve dhe rrugëve të qarta të pacientëve. Sistemet më të zhvilluara nuk e matin më suksesin vetëm sipas numrit të ndërhyrjeve, por sipas asaj se sa kanë arritur të parandalojnë shfaqjen dhe zhvillimin e sëmundjeve, sa shpejt kanë identifikuar rreziqet dhe sa sigurt e kanë udhëhequr pacientin përmes sistemit.
Ky është kalimi nga një shëndetësi “zjarrfikëse” drejt një shëndetësie që parashikon dhe parandalon. Një shëndetësi e mbështetur në spitale moderne, platforma digjitale interoperabile, inteligjencë artificiale dhe telemjekësi që e relativizon hapësirën dhe e eliminon gjeografinë si pengesë.
Prandaj, digjitalizimi tek ne nuk guxon të reduktohet në blerje softuerësh apo në “vulë elektronike” për zakone të vjetra. Ai duhet të jetë një mjet sistemik që i çliron mjekët nga barrat administrative, i bën të dhënat më të shpejta se burokracia dhe ndërton besim përmes transparencës. Për shtete më të vogla si Maqedonia, kjo është edhe mundësi për një “kërcim përpara”: me rregulla të qarta referimi, algoritme “gatekeeper” mes niveleve primar, sekondar dhe terciar, si dhe regjistra dhe standarde të ndërlidhura, mund të korrigjojmë anomalitë që i çojnë pacientët pa nevojë në nivel terciar.
E ardhmja që shohim në botë – binjakë digjitalë që simulojnë rezultate, inteligjencë artificiale që identifikon rrezikun para shfaqjes së simptomave, spitale virtuale pa mure dhe mjekësi të personalizuar – nuk ka pse të jetë realiteti ynë i përditshëm nesër. Por ajo duhet të jetë orientimi ynë sot. Detyrimi ynë është të kalojmë nga realiteti i djeshëm i spitaleve të mbipopulluara, mjekëve nën presion të madh dhe sistemeve që përpiqen vazhdimisht të balancojnë burime të kufizuara me pritje gjithnjë e më të larta, drejt një të ardhmeje të udhëhequr nga të dhënat, spitale të zgjuara, diagnostikë të mbështetur nga inteligjenca artificiale dhe teknologji që jo vetëm reagojnë, por parandalojnë dhe parashikojnë.
Shkruan:
Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë













