
Arkitektura e besimit në shëndetësi
Kur njeriu vjen nga bota e informatikës, rregulli i parë që e sjell me vete është i thjeshtë: nuk i beson “përafërsishtë”-. Në kodin, “përafërsishtë” pa rregulla dhe pa matje është bug; në sisteme është burim rreziku ekzistencial; ndërsa në shëndetësi mund të nënkuptojë kohë të humbur, besim të humbur dhe, në rastet më të rënda, jetë të humbur.
Prandaj, kur para gjashtë muajsh mora përgjegjësinë të udhëheq Ministrinë e Shëndetësisë, e dija se do të përballesha me pritshmëri të mëdha, por edhe më shumë e dija se do të përballesha me një realitet që nuk duron improvizim dhe përcaktime të paqarta si “përafërsishtë”.
Problemet në shëndetësi nuk janë temë që zgjidhen me fjalë të bukura. Pikërisht për këtë, në muajt pas meje, një nga hapat më të rëndësishëm ishte të ndalonim së treguari histori për sistemin dhe të fillonim ta shihnim pamjen e tij reale. Shpesh jemi mësuar të qëndrojmë në një pozicion pasiv, si vëzhgues të heshtur që presin se gjërat do të ndryshojnë vetvetiu, pra “disi do të bëhet”. Por ky pritje që loja e rastësisë të sjellë rezultatin e dëshiruar në shëndetësi thjesht nuk guxon të ekzistojë, sepse çdo vendim i vonuar, çdo proces i pasaktë dhe çdo improvizim kanë emër dhe mbiemër.
Dhe kur hyn në sistem nga brenda, kur e sheh nga afër, “problemi abstrakt” pushon së qeni abstrakt: ai bëhet histori personale e një njeriu konkret — mjek që punon nën presion, infermiere që pa u vënë re mban tri ndërrime, pacient që pret, familje që pyet “çfarë tani?”, njeri që ka frikë dhe kërkon siguri. Atëherë kupton se shëndetësia nuk është vetëm arkitekturë institucionale, por një marrëveshje e përbashkët për kujdes — një marrëveshje që duhet të funksionojë pikërisht atëherë kur na nevojitet më së shumti.
Nga kjo e vërtetë njerëzore doli edhe zgjedhja ime e parë: në vend që të kërkoja “përshtypje të shpejta”, të vendosja themele që e mbajnë sistemin të qëndrueshëm edhe kur është më e vështirë. Unë besoj se pa të dhëna dhe pa procese të qarta, sistemi gjithmonë do të reagojë vonë. Prandaj nisëm me një qasje inxhinierike: hartëzim, indikatorë, të dhëna, procese. Kjo mund të tingëllojë teknike, por thelbi është shumë njerëzor. Nëse nuk e di saktë ku mungon personeli, si do ta garantosh shërbimin në kohë? Nëse nuk e di ku është i pajisur çdo kapacitet dhe në çfarë gjendjeje, si do të planifikosh investime që vërtet i zgjidhin problemet? Nëse nuk ka mundësi të përcjelljes, si do ta mbrosh drejtësinë në sistem?
Që kjo të mos mbetej vetëm parim apo synim, pikërisht në vitin 2025 vendosëm “vijën e parë të nisjes” mbi të cilën mund të ndërtohet çdo reformë e ardhshme. Një nga bazat më të rëndësishme që ngritëm në 2025 është se sot, për herë të parë, kemi një bazë të plotë të burimeve njerëzore. Më në fund e dimë ku mungon personeli, ku ka mbingarkesë, ku duhen profile të reja dhe ku organizimi duhet përmirësuar. Kjo është bazë për drejtësi në sistemin shëndetësor: kur ke një pamje të qartë, mund të bësh shpërndarje të drejtë, mund të planifikosh, mund t’i mbrosh si pacientët ashtu edhe punonjësit shëndetësorë nga kaosi që krijohet kur sistemi “punon me përmendësh”.
Hapi i radhës — një proces që tashmë po e përmbyllim — është krijimi i një pasqyre digjitale për infrastrukturën dhe pajisjet. Sepse pa të dhëna nuk ka planifikim të mençur, e pa planifikim nuk ka cilësi. Këtu zbulohet edhe një nga “deluzionet” më të mëdha që i kemi lejuar si shtet: ideja se cilësia vjen si pasojë e “dëshirës”, e jo si rezultat i metodës — i një procesi standard, të përsëritshëm dhe të verifikueshëm.
Si ministër, digjitalizimin e trajtoj si mjet për qasje të drejtë dhe të barabartë, jo si qëllim në vetvete. Në një sistem të copëzuar, më lehtë ia del ai që ka kohë, nerva, njohje dhe informacione; por shëndetësia nuk guxon të jetë lojë “përshtatjeje”. Shëndetësia duhet të jetë shërbim me rrugë të qartë, rregulla të sakta dhe përgjegjësi të identifikuar.
Prandaj nisëm të ndërtojmë një rrjet unik të shëndetësisë digjitale: të lidhim regjistrat e punonjësve shëndetësorë dhe institucioneve, të përmirësojmë interoperabilitetin mes kapaciteteve publike dhe private, të vendosim standarde që krijojnë një “gjuhë të përbashkët” të sistemit, të forcojmë shkëmbimin e të dhënave mes institucioneve dhe të vendosim mjete që rrisin gjurmueshmërinë dhe e zvogëlojnë zonën gri. Kur proceset janë digjitale dhe të verifikueshme, “lidhjet” e humbin fuqinë, ndërsa qytetari merr trajtim të drejtë. Ky është thelbi: digjitalizimi nuk është temë thjesht teknike, por mënyrë për ta rikthyer besimin se sistemi është i barabartë për të gjithë.
Paralelisht, nisëm edhe një ndryshim tjetër që ishte vonuar gjatë: riorganizimin e thellë të kornizës ligjore — pra të sistemit operativ (softuerit) të institucioneve shëndetësore (harduerit). Nëse sistemi operativ është i vjetruar, plot me “bug-e” dhe i paqëndrueshëm, atëherë edhe stafi më i mirë do të punojë në pasiguri, ndërsa pacienti do të përballet me paparashikueshmëri. Prandaj, në vitin 2025 filluam procesin e ndryshimeve në 12 zgjidhje ligjore dhe hartimin e dy ligjeve krejtësisht të reja. Kjo reformë ligjore do të sjellë menaxhim më profesional, procedura transparente, kompetenca të qarta, kontroll më të madh dhe mekanizma më të fortë përgjegjësie.
Por asnjë reformë nuk është e vërtetë nëse nuk shihet dhe nuk ndihet atje ku shpëtohet jeta — në klinika, spitale, salla operative, në kujdesin intensiv. Prandaj, në vitin 2025 bëmë një kthesë në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore. KARIL po rindërtohet për herë të parë pas 40 vjetësh; dhjetë salla operative në QKU po rinovohen sipas parimit “çelës në dorë”, që do të thotë standarde të reja të sterilitetit, sigurisë dhe funksionalitetit. Paralelisht, punojmë për rinovimin e dhomave spitalore dhe përmirësimin e kushteve në spitalet në mbarë vendin, si dhe përgatisim projekte teknike për kapacitete të reja, poliklinika dhe ambulanca në bashkëpunim me komunat. Të gjitha këto projekte synojnë që pacienti të ndihet se hyn në një hapësirë të rregullt sigurie dhe kujdesi, ndërsa punonjësit shëndetësorë të kenë kushte që e respektojnë punën dhe profesionalizmin e tyre.
Sa i përket pajisjeve mjekësore, 2025 ishte vit i investimeve konkrete që shpëtojnë jetë dhe e rrisin kapacitetin e sistemit publik. Në disa spitale u instaluan sisteme të gazrave mjekësorë dhe ajrit të kompresuar — parakusht themelor për kirurgjinë dhe kujdesin intensiv. Janë në vijim prokurime të pajisjeve moderne për neurokirurgji, që e rrisin precizitetin dhe mundësitë për ndërhyrjet më të ndërlikuara. Kur flasim për pajisje, flasim për sekonda në urgjencë, për saktësi në operacion, për rrezik më të ulët të komplikimeve. Flasim që jo çdo rast i rëndë të nënkuptojë udhëtim dhe stres shtesë për pacientin dhe familjen. Kjo është pjesë e qëllimit tonë thelbësor: mjekësia moderne të mos jetë privilegj, por realitet në shëndetësinë publike.
Pikërisht këtu shoh edhe mesazhin më të fortë njerëzor të vitit 2025: nisëm të shohim rezultate që nuk maten vetëm me numra, por me histori jete. Për herë të parë u realizua transplant i kornesë me 9 ndërhyrje të suksesshme. U kryen transplantime kockore te fëmijët; u futën ndërhyrje të reja, shumë të sofistikuara në disa klinika, me bashkëpunim ndërkombëtar dhe standarde moderne. Këto ndërhyrje nuk janë suksese të izoluara; ato janë sinjal se kur sistemi ka pajisje, proces, disiplinë ekipore dhe dije bashkëkohore, atëherë shërbimet më të ndërlikuara shëndetësore mund të sigurohen edhe këtu, në vendin tonë. Është momenti kur qytetari pushon së ndjeri i lënë vetëm dhe nis të besojë se shteti mund të jetë partner në çastet më të vështira.
Kur flasim për vitin 2026, qëllimi im mbetet i thjeshtë, njerëzor dhe i verifikueshëm: qytetari të ndiejë se sistemi është në anën e tij. Kjo do të thotë spitale me kushte më të mira; mjekë dhe infermierë me pajisje dhe mbështetje; qytetar me rrugë më të shkurtër dhe të parashikueshme drejt shërbimit, me rregulla të qarta dhe me numër minimal hapash.
Do të thotë më pak endje, më pak nervozë, më pak dyer — dhe më shumë rregulla e trajtim të drejtë. Në 2026 do të investojmë atje ku mungon më shumë dhe ku jeta shpëtohet më shpejt. Do të vazhdojmë me zgjidhje digjitale që e lehtësojnë punën e përditshme të ekipeve shëndetësore dhe e ulin barrën burokratike. Do t’i finalizojmë reformat ligjore të nisura dhe do të dalim qartë para publikut me atë që ndryshon dhe pse. Dhe çdo hap do ta masim me rezultate, sepse shëndetësia duhet të jetë shërbim i sigurt — jo betejë e përhershme.
Por dua të jem i sinqertë: proceset më të rëndësishme që i kemi nisur nuk do të mbarojnë në 2026. Pse? Sepse kalimi nga shëndetësi reaguese në shëndetësi proaktive kërkon një trajektore zhvillimi të gjatë. Synimi është të ndërtojmë sistem që funksionon edhe kur s’ka vëmendje mediatike, kur s’ka presion dhe kur është “qetë” – një sistem me performancë të qëndrueshme, të pavarur nga presioni i jashtëm; një sistem që nuk varet nga një emër i vetëm, por nga rregulla dhe kulturë.
Ambicia ime personale dhe përgjegjësia ime si ministër është të vendosim një arkitekturë që mundëson që çdo vit të jetë më i mirë se i mëparshmi dhe çdo pacient të ndiejë se pas tij qëndron një sistem – jo rastësia.
Shkruan
Azir Aliu
Ministër i Shëndetësisë













