
Sot në Strugë ranë maskat…
Ashtu siç paralajmëruam, sot u zgjodh kryetari i Këshillit të Komunës së Strugës. Jo si shprehje e vullnetit të qytetarëve, por si rezultat i një pazari politik që tashmë është i dukshëm për të gjithë. Maskat ranë dhe qytetarët e panë qartë kush është me kë dhe për çfarë!!
Kjo ditë do të mbahet mend në historinë e qytetit të Strugës si dita kur u shkel dinjiteti institucional, kur u nëpërkëmb legjitimiteti i votës së qytetarëve dhe kur parimet demokratike u sakrifikuan për interesa të ngushta politike.
Sot u pa hapur se kush zgjodhi kompromisin mbi ndërgjegjen, kush u rreshtua në koalicione të fshehta dhe kush e uli kokën para pushtetit, në vend që ta ngrinte zërin për qytetarin. U pa se çfarë pazari u bë, në kurriz të kujt u bë dhe çfarë çmimi po paguan Struga për këtë marrëveshje.
Ne qëndruam aty ku kemi qenë gjithmonë: në anën e së vërtetës, të legjitimitetit dhe të qytetarit. Pa maska, pa pazare, pa frikë. Sepse për ne politika nuk është treg, por përgjegjësi.
Kjo ditë nuk mbyllet me një votim. Kjo ditë hap një faqe që qytetarët nuk do ta harrojnë. Struga sot pa qartë kush është i qëndrueshëm, i pa blerë dhe i pa thyeshëm – dhe kush zgjodhi anën tjetër të historisë.
Ne do të vazhdojmë të propozojmë, të mbështesim dhe të mbrojmë çdo vendim që është në interes të qytetarëve të Strugës. E vërteta u pa sot. Historia do ta gjykojë nesër.
✊ Aleanca Kombëtare për Integrim – në krah të qytetarit, gjithmonë.
FOTO: AKI-Strugë













