Takim Murtezani- Dreksler: MÇE pajiset me platformë softuerike për Agjendën reformuese
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani sot ka zhvilluar takim me ambasadoren gjermane në vend, Petra Dreksler dhe me përfaqësuesit e Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Në këtë takim është diskutuar për mbështetjen e mëtejshme të cilën Republika Federale e Gjermanisë e ofron mbi procesin e integrimit evropian, me fokus të veçantë në përforcimin e kapaciteteve institucionale.
Sipas Murtezanit, realizimi i Agjendës reformuese kërkon përkushtim, koordinim permanent dhe mjete të qarta për monitorimin e implementimit të reformave.
“Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Ministria për Çështje Evropiane u pajis me platformë softuerike për Agjendën reformuese dedikuar për monitorimin dhe njoftimin për implementimin e reformave të lidhura me agjendën evropiane. Mirënjohje për qytetarët e Republikës Federale të Gjermanisë, në emër të qytetarëve tanë, për mbështetjen dhe partneritetin permanent në këtë proces”, thekson ministri Murtezani.















