Fetai: Pas 24 vitesh pritje miratojmë ligj që siguron përfaqësim të drejtë
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai ka ritheksuar se Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat po ndërtohet mbi parime të qarta dhe standarde të matshme.
Reagimi i tij vjen vetëm një ditë pasi Komisioni i Venecias e vlerësoi pozitvisht Ligjin i cili siguron përfaqësim të drejtë dhe zbatim të barabartë për të gjithë qytetarët.
“Diskutimi në Komisionin e Venecias e konfirmoi se ky proces ka drejtim të saktë dhe bazë serioze profesionale. Përfaqësimi i drejtë kërkon rregulla të qarta, zbatim të barabartë dhe përgjegjësi institucionale”, ka thënë Fetai.
Synimi, siç shprehet, është ndërtimi i një administrate publike funksionale, ku përfaqësimi dhe meritokracia ecin së bashku, dhe ku institucionet që për vite kanë qenë të mbyllura hapen për të gjithë njësoj.
“Ky ligj vendos rend aty ku për vite ka pasur paqartësi dhe e kthen një parim kushtetues në LIGJ. Pas 24 vitesh pritje, me punë dhe angazhim institucional, po miratojmë ligj me garanci që siguron përfaqësim të drejtë dhe zbatim të barabartë për të gjithë qytetarët”, thekson në postimin në rrjetet sociale, zv/kryeministri Fetai.
















