Gazetar: Suad Bajrami
Krisje mes marrëdhënieve të kryetarit të Strugës Mendi Qyra dhe kryeministrit Hristijan Micksoki.
Gjatë brifingut të djeshëm me gazetarët, Mickoski është shprehur i zhgënjyer nga Qyra pasi që në festën e 28 Nëntorit në shëtitoren e Lumit Drin në Strugë, janë vendosur vetëm flamuj shqiptar, por jo edhe ai shtetëror, siç parashikon ligji.
Kryeministri nuk e ka pranuar arsyetimin e Qyrës që ia ka thënë nëpërmjet bisede nëpërmjet sms-porosive se çdo vit festa është organizuar në këtë mënyrë. Si rezultat i kësaj, Mickoski tha se nuk beson që këshilltarët e VMRO-DPMNE-së do ta mbështesin punën e Qyrës.
Lidhur me këtë çështje sot ka reaguar Qyra i cili mungesën e flamurit shtetëror në festën e 28 Nëntorit e quan lëshim.
“Mendoj që edhe deklarata nuk do të prish punë me bashkëpunimin e mëtutjeshëm të kryeministrit me mua si kryetar i Komunës dhe Komunën e Strugës në përgjithësi, duke e ditur se Komuna e Strugës është një projekt shumë i madh se sa një lëshim të një manifestimi që është bërë. Mendoj që bashkëpunimi i jonë edhe me këshilltarët e VMRO-DPMNE-së do të jetë në nivel duke marrë parasysh se jemi në bisedime për t’u marrë vesh se si do të vazhdojë mandati katërvjeçar në Komunën e Strugës”, tha Mendi Qyra, Kryetar i Strugës.
Qyra në zgjedhjet lokale garoi si kandidat i pavarur, i mbështetur edhe nga Koalicioni VLEN. Në mbështetje të tij, doli edhe VMRO-DPMNE, për çka personalisht kryeministri Hristijan Mickoski mori pjesë në fushatë. Madje për shkak mbështetjes së hapur, opozitarja BDI kandidatin Qyra shpesh e quante kandidat të VMRO-DPMNE-së.
Për dallim prej kritikave ndaj Qyrës, Mickoski ka lavdëruar Izet Mexhitin e Komunës së Çairit, ku gjatë festës së 28 Nëntorit nëpër rrugë krahas flamurit shqiptar është vendosur edhe flamuri shtetëror./ Alsat.mk













