Rasti ku i dënuari për tragjedinë e “Laskarcës”, pronari i “Durmo Turs”, edhe një herë nuk u paraqit në burg duke paraqitur arsye shëndetësore, është dëshmi e gjallë se sistemi i drejtësisë ka dështuar vazhdimisht t’i zbatojë vendimet e veta. Qytetarët kanë të drejtë të ndihen të ofenduar dhe të braktisur nga institucionet që duhet t’i mbrojnë. Ky rast shpjegon më mirë se çdo fjalë tjetër pse VLEN ka kërkuar dhe ka mbështetur formimin e Komisionit anketues.
Qytetarët kanë pritur me vite drejtësi, por në vend të drejtësisë kanë parë justifikime të pafundme dhe raporte mjekësore të dyshimta. Kjo praktikë duhet të marrë fund.
Rasti “Durmo Turs” ashtu si “Besa Trans”, djegia e spitalit modular në Tetovë dhe tragjedia e Koçanit nuk janë raste të izoluara. Janë pasojë e një modeli të pandëshkueshmërisë së mbjellë me dekada. Janë histori që tregojnë se kur shteti dështon, njerëzit humbasin jetë.
VLEN pret që Komisioni Anketues të zbardhë jo vetëm emrat, por edhe skemat e keqmenaxhimit dhe korrupsionit që kanë lejuar këto tragjedi.













