Hoxha në Ditët e Vardarit 2025: Uji është çelësi i bujqësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm
Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, mori pjesë në aktivitetin dyditor Ditët e Vardarit 2025, kushtuar menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore në pellgun e lumit Vardar.
Ngjarja mblodhi institucione shtetërore, ekspertë, partnerë ndërkombëtarë, akademikë dhe të rinj profesionistë, duke krijuar një platformë të përbashkët për të forcuar menaxhimin e ujit dhe për të nxitur politika afatgjata e të qëndrueshme.
Hoxha theksoi rëndësinë e ujit për bujqësinë, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin rural, duke nënvizuar nevojën për politika të bazuara në të dhëna, planifikim afatgjatë dhe përgjegjësi ndaj ndryshimeve klimatike. “Bujqësia duhet të jetë pjesë e zgjidhjes dhe ne mbetemi plotësisht të përkushtuar në këtë drejtim”, u shpreh ai.
Gjatë aktivitetit, Hoxha pati kënaqësinë të takojë Ambasadorin e Zvicrës, Christoph Sommer, të cilin e uroi për fillimin e mandatit diplomatik në Maqedoninë e Veriut dhe i dëshiroi suksese në detyrën e re. Dy bashkë diskutuan për objektivat e përbashkëta në fushën e menaxhimit të ujërave dhe zhvillimit rural.
Zëvendësministri shprehu mirënjohje për organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit, duke vlerësuar dy ditët e suksesshme plot diskutime, prezantime dhe ide që kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë ujore dhe të ardhmen e qëndrueshme të vendit.













