Tuesday, November 25, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeOpinionBlerina Asani: Kërkoj drejtësi për babain tim që u dënua padrejtësisht për...

Blerina Asani: Kërkoj drejtësi për babain tim që u dënua padrejtësisht për gruan që ia shpëtoi jetën

LETËR E HAPUR

Në adresë të Prokurorisë, Gjykatësit Jordan Jovanov dhe Gjykatës Themelore të Strugës.
“Drejtësia e kapur e një vendi të kalbur”

Pse ia mohuat babait tim të drejtën e një drejtësie të drejtë?
Kjo letër është për të lartpërmendurit, por mbi të gjitha për të gjithë opinionin e gjerë që, prej pesë vitesh, ka dëgjuar shumë fjalë, shumë spekullime, shumë gjykime, pa e ditur as një të katërtën e së vërtetës dhe aq më pak gjendjen faktike të ngjarjes.

Kam menduar shumë përpara se ta shkruaj këtë letër. Gjithmonë kam besuar se drejtësia do ta bëjë punën e vet. Por fatkeqësisht, JO nuk qenka kështu. Dhe vendimi absurd, i pakuptimtë, i pamend dhe i paprecedent që u mor në këtë rast, nuk ishte rezultat i provave, sepse provat flasin të kundërtën. Ky vendim ishte rezultat i diçkaje tjetër. Dhe unë, si fëmijë i njeriut që u dënua në mënyrën më të padrejtë të mundshme, kam disa pyetje të hapura që presin përgjigje. Pyetje që ju nuk i dhatë kurrë.

Pyetje që lindin nga padrejtësia dhe arroganca e një gjyqësori që sillet si zot dhe njëkohësisht si xhelat i një populli që pretendon se kërkon Europën.

Pyetjet publike që nuk morën kurrë përgjigje

1. Pse injoruat firmën dhe mendimin e 2 komisioneve të krijuar nga Oda e Mjekëve dhe Ministria e Shëndetësisë me specialistët më profesional nga të gjithë degët e mjekësise? Të cilët me detaje profesionale kanë investiguar rastin dhe kanë raportuar se NUK ka gabim mjekësor gjatë operacionit dhe periudhes postoperatore?
Raportet e tyre zyrtare, të nënshkruara dhe të argumentuara, u trajtuan si letra pa vlerë.

2. Pse asnjë provë e dokumentuar nuk u pranua?
Asnjë. Si mund të quhet drejtësi një proces ku provat hidhen poshtë sistematikisht?

3. Në cilin vend normal demokratik të kësaj bote një gjyqtar del me deklarata kërcënuese në media për një mjek që ende nuk është gjykuar?
A nuk është ky presion publik? A nuk është kjo shkelje flagrante e etikës dhe e pavarësisë së gjykimit?

4. Cila ishte garancia e avokatit kundërshtar që deklaronte me kokë se vendimi do të ishte i tillë, përpara se të mbaronin seancat?
Kush ia kishte garantuar një përfundim të paracaktuar?

5. Cili ishte motivimi juaj për të zhvilluar seanca çdo ditë, jashtë çdo procedure?
Ç’ishte kjo ngutje e pazakontë? Kush nxitonte? Dhe pse?

6. Në cilin vend normal jepet një vendim i tillë vetëm 10 minuta pas përfundimit të seancës?
Po, e lexuat saktë: vetëm 10 minuta.
Gjykatësi doli menjëherë me vendimin maksimal, pa asnjë analizë të deklaratave, pa shqyrtim real të provave dhe pa asnjë diskutim të vërtetë mbi çështjen.

A ishte ky një proces i montuar? Ku rezultati ishte i paracaktuar dhe gjithçka duket se ishte përgatitur përpara se të fillonte seanca?
Vendim i parashkruar? I diktuar?

7. Pse u ndryshua aktakuza në momentin kritik?

Pas pesë vitesh gjykimi, ku akuza e vetme ishte për gabim mjekësor, pikërisht në të njëjtën ditë kur superekspertiza ishte gati të deklaronte se nuk ka pasur gabim mjekësor, prokuroria ndryshoi akuzën dhe e ktheu çështjen në “trajtim jo cilësor të pacientes në periudehen pas operacionit”.

Kur e bëtë këtë shkelje të rëndë procedurale, pse nuk u lejuan dëshmitarë të rinj dhe asnjë provë që vërtetonte faktin që mjeku nuk ishte 3 ditë në orar punë në periudhën pas operacionit?

8. Kur u vërtetua nga superekspertiza se nuk ka gabim gjatë operacionit, pse e dënuat për “trajtim jo cilësor” — kur ai as nuk ishte në punë ato ditë?
Domethënë, ai u dënua për mosprezencë?

Dhe pse nuk u pranua orari zyrtar i repartit të gjinekologjisë vulosur e firmosur nga të gjithë mjekët që e kishin bërë vizitën mjekësore? Një provë kyçe!

Si mund të akuzohet dhe të dënohet një mjek për “trajtim jo cilësor” gjatë periudhës pas operacionit 4 ditor, kur mjeku në fjalë nga dita e parë deri në ditën e katërt postoperatore nuk ka qenë fare në punë, duke qenë i lirë nga kujdestaria?
Pse nuk lejuat dëshmitë e mjekëve që kanë qenë prezent gjatë periudhës pas operacionit, të cilët mund të sqaronin situatën, dhe të siguronin drejtësi të vërtetë?

Kur ndryshon themelin e një çështjeje pas pesë vitesh gjykimi, mbrojtja ka të drejtë të paraqesë prova të reja dhe të mbrohet në mënyrë të drejtë.
Ju nuk lejuat asnjë provë, asnjë dëshmitar!

9. Pse nga i gjithë ekipi mjekësor që mori pjesë në ndërhyrje — dy gjinekologë, dy kirurgë dhe dy anesteziologë — të gjithë me rol të drejtpërdrejtë dhe vendime jetësore që i shpëtuan jetën pacientes, u pyet vetëm Dr. Asani, ndërsa pesë të tjerët u injoruan plotësisht?

Vlen të theksohet se kirurgët ishin ata që kryen heqjen e veshkës dhe morën vendimin jetik për shpëtimin e pacientes, ndërkohë që Dr. Asani nuk hoqi veshkën, por veproi gjithmonë sipas rolit të tij të specializuar, me qëllim të shpëtimit të jetës së pacientes.

Si mund të pretendohet zbardhja e së vërtetës kur nuk dëgjohen profesionistët që kanë qenë fizikisht të pranishëm, kanë kryer procedurat dhe e dinë rrjedhën e saktë të operacionit?
Ç’farë gjykimi është ai ku 80% e ekipit kryesor nuk merret fare në pyetje?

Për një operacion 8 orësh që i shpëtoi jetën një pacienteje

Asnjëherë nuk u vlerësua fakti se ishte një operacion 8 orësh ai që i shpëtoi jetën kësaj “zonje”. Një paciente e cila, prej pesë vitesh, vjen në seanca krejtësisht e gjallë dhe e shëndoshë, duke hedhur mllef dhe akuza, por jo fakte.
Sepse çdo mjek e di e sidomos ai që ka kryer mbi 1000 ndërhyrje të këtij lloji se çdo operacion ka komplikimet e veta, dhe secili që dëshiron mund t’i gjejë komplikimet postoperatore të lindjes cezariane me vetëm një kërkim të thjeshtë. Nuk ka operacion të madh pa rrezik. Nuk ka ndërhyrje pa mundësi komplikimesh. Kjo është e vërteta e mjekësisë.

Asnjëherë nuk u vlerësua profesionalizmi i një mjeku që ka punuar ditë dhe natë, që është thirrur në çdo orar për të shpëtuar jetë, një mjeku që është i vetmi doktor shkencash në atë spital. Një njeri që ka kontribuar për komunitetin, për pacientët, për institucionin dhe për shtetin, por që u përdor si kurban për të kënaqur nervat, urrejtjen dhe kërkesën për “dikë fajtor” të një opinion publik të helmuar nga media.

A është ky rast pjesë e një skeme më të madhe që synon shkatërrimin e gjinekologjisë në Strugë?
Sepse të gjithë e dinë shumë mirë kush e mban gjallë atë repart.
Të gjithë e dinë kush ka vite që trajton paciente me sukses, kush ka kryer operacione të rënda e të ndërlikuara që janë realizuar pikërisht në spitalin e Strugës.

Dr. Muhamed Asani — i vetmi doktor shkencash në Spitalin e Strugës — është njeriu që ka mbajtur mbi supe një repart të tërë.
Dhe sot, pikërisht ai, goditet në mënyrën më absurde, më të paarsyeshme dhe më të pashpjegueshme. Pse?

A është ky një sulm i qëllimshëm për të rrënuar një nga repartet më të rëndësishme të qytetit?
A është kjo lojë politike?
A po përgatitet mbyllja e gjinekologjisë në Strugë — me eliminimin e njeriut që e mban në këmbë?

Këto nuk janë akuza.
Këto janë pyetje të drejta që dalin natyrshëm kur drejtësia dështon spektakularisht dhe godet pikërisht atë që ka dhënë më shumë për qytetin.

Dhe pikërisht medias duam t’i themi këtë:
Lexoni mirë këtë letër.
Mos nxirrni tituj që s’kanë lidhje.
Mos helmoni opinionin.
Flisni të vërtetën sepse për këtë jeni.

Dhe në fund…

Po, e drejta mund të vonojë. Por kurrë nuk harron.
Dhe gjithsecilit i nxjerr fytyrën ashtu siç e ka.

Kjo letër nuk është hakmarrje.
Është thirrje.
Është apel.
Është kërkesë për drejtësi të vërtetë, jo drejtësi të kapur.
Jo drejtësi të urdhëruar.
Jo drejtësi të paracaktuar.

Sepse askush nuk duhet të paguajë me jetën e tij profesionale, morale apo familjare, për t’i dhënë dikujt tjetër kënaqësinë e një tabele të falsifikuar “fitoreje”.

Me shpresë për drejtësi të vërtetë,
Vajza e Dr. Muhamed Asani

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!