Gjashtë viktima në katër ditët e para të nëntorit – MPB apelon për vetëdije më të madhe në trafik

0
11

Gjashtë viktima në katër ditët e para të nëntorit – MPB apelon për vetëdije më të madhe në trafik

Në vetëm katër ditët e para të nëntorit, në territorin e Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën gjashtë persona në aksidente trafiku, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Sipas të dhënave zyrtare, që nga fillimi i vitit e deri në fund të tetorit, numri i viktimave në rrugët e vendit ka arritur në 115.

“Vitin e kaluar u regjistruan gjithsej 142 viktima në aksidente trafiku. Këto nuk janë vetëm statistika, por njerëz – dikujt djalë, nënë, bashkëshort apo fëmijë. Pas çdo numri fshihet një histori e dhimbshme. Ky bilanc tragjik nuk është pasojë e fatkeqësive natyrore apo konflikteve, por e sjelljes dhe kulturës sonë në trafik,” theksojnë nga MPB-ja.

Ministria potencon se shkaqet kryesore të aksidenteve mbeten mosrespektimi i rregullave të qarkullimit, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe drejtimi nën ndikimin e alkoolit.

MPB u bën apel shoferëve që të shmangin përdorimin e celularëve gjatë ngasjes, të mos drejtojnë mjetet me shpejtësi të lartë dhe të mos ulen në timon pas konsumimit të alkoolit. “Respektoni rregullat e komunikacionit dhe mos rrezikoni jetën tuaj e të të tjerëve,” thuhet në njoftim.

Institucioni apelon edhe tek prindërit që të mos lejojnë fëmijët e tyre të drejtojnë mjete pa trajnim dhe leje të vlefshme. “Kultura e trafikut duhet të mësohet që në moshë të vogël, dhe roli i prindërve e shkollave është thelbësor në këtë proces,” shton MPB-ja.

Në fund, Ministria thekson se do të vazhdojë me kontrolle të shtuara në terren, por nënvizon se ndryshimi i vërtetë vjen nga vetëdija dhe përgjegjësia e çdo shoferi.
“Një moment pakujdesie mund të marrë jetë. Asgjë nuk është më e vlefshme se jeta njerëzore,” përfundon komunikata.