Kurti uron fitoren e VLEN-it: Izeti e Bilalli ngadhënjyen me punë të ndershme e projekte konkrete

0
11

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar Koalicionin VLEN për suksesin në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, ku kjo forcë politike ka arritur të fitojë në dhjetë komuna, përfshirë edhe dy qendrat më të rëndësishme shqiptare, Çairin dhe Tetovën. Në një status publik, Kurti uroi personalisht dy liderët e koalicionit, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, për fitoret e tyre në Çair dhe Tetovë, duke theksuar se rezultatet janë dëshmi e punës së ndershme dhe e qeverisjes së pastër.

“Nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Dy miqtë e mi, Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen me diferencë të thellë”, shkruan Kurti.

Kryeministri i Kosovës theksoi se suksesi i VLEN-it është një konfirmim i qeverisjes së mirë, i vullnetit për ndryshim tek shqiptarët dhe një mundësi e madhe për reforma të reja në Maqedoninë e Veriut. Sipas Kurtit, koalicioni ka arritur të ruajë integritetin dhe besueshmërinë publike përmes një stili të qeverisjes pa korrupsion dhe pa skandale. “Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara,” ka shkruar Kurti.

Ai gjithashtu vuri në pah se fryma e re politike e VLEN-it ka ndikuar pozitivisht edhe në raportet ndërfqinjësore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat sipas tij janë më të forta se kurrë më parë.

“Pikërisht kjo frymë e ndryshimit ka sjellur një bashkëpunim të hapur e shumëdimensional mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Nga takimi përmbajtësor i dy qeverive tona e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova e Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore,” ka shtuar Kurti. Në përmbyllje, ai e cilësoi zhvillimin demokratik në Maqedoninë e Veriut si një dëshmi të perspektivës evropiane të vendit dhe të përforcimit të partneritetit mes dy shteteve. “Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoni të Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë”, përfundon reagimi i Kurtit.