Nis orari dimëror i fluturimeve në aeroportet e Ohrit dhe Shkupit

0
330

Këtë fundjavë hyn në fuqi orari dimëror i fluturimeve për sezonin 2025/26. Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit do të ketë lidhje me 49 destinacione të rregullta që do të shërbehen nga 17 kompani ajrore, si dhe me 13 destinacione çarter që do të operohen nga një kompani ajrore. Ndërkaq, nga Aeroporti “Shën Apostol Pali” në Ohër janë paraparë pesë destinacione, të cilat do të operohen nga tre kompani ajrore, njoftuan për MIA nga TAV Maqedoni, koncesionari i aeroporteve të Maqedonisë.

Të dy aeroportet maqedonase do të lidhen me 10 destinacione të reja gjatë sezonit dimëror, i cili do të zgjasë deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm. Nëntë prej tyre do të operohen nga kompania ajrore Wizz Air, me subvencione nga Qeveria. Bëhet fjalë për fluturimet nga Shkupi drejt Barit dhe Stokholmit, të cilat do të fillojnë më 27 tetor, dhe në të njëjtën datë do të nisë edhe linja ajrore nga Ohri drejt Bazelit.

Më 28 tetor, kryeqyteti do të lidhet për herë të parë me Madridin, një nga destinacionet më të kërkuara nga udhëtarët tanë. Po atë ditë në orarin e fluturimeve kthehet edhe linja për Larnakë. Nga 15 dhjetori, Shkupi do të lidhet për herë të parë me Pragën, dhe do të rikthehet linja për Këlnin.

Nga 30 marsi 2026, të dy aeroportet do të kenë edhe tre destinacione të reja. Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, Wizz Air do të rikthejë linjën e rregullt për Budapestën, ndërsa në të njëjtën ditë kompania do të hapë një destinacion të ri pushimi në Itali – Napolin, për të cilin pritet kërkesë e madhe. Po atë datë, Aeroporti “Shën Apostol Pali” në Ohër do të lidhet me Milanon.

Destinacioni i dhjetë i ri është linja nga Shkupi drejt Gjenevës, të cilën EasyJet do ta rikthejë më 3 nëntor.