
Dauti nuk ndalet, gjuhën shqipe e kthen edhe në tabelën e Bllacës!
Zëvëndësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka njoftuar përmes një shkrimi në rrjetin e tij social, që edhe tabela në pikën kufitare të Bllacës do të frymojë edhe në shqip.
“Pas tabelës në Bellanoc dhe Qafë Thanë, tashmë edhe pika kufitare e Bllacës e ka marrë pamjen e duhur e të merituat tabela në gjuhën shqipe në vendin e saj.Për shumë vite, edhe në këtë pikë hyrëse e dalëse të vendit tonë, gjuha shqipe mungonte padrejtësisht. Në një tokë ku kalojnë çdo ditë mijëra qytetarë shqiptarë, mungesa e shqipes në tabelën zyrtare ishte më shumë se neglizhencë ishte shenjë e shpërfilljes institucionale ndaj identitetit tonë kombëtar. Por kjo padrejtësi po merr fund, hap pas hapi, kufi pas kufiri. Pas Bellanocës e Qafë Thanës, Bllaca është dëshmia e radhës se përkushtimi ynë për dinjitetin kombëtar nuk ndalet. Tabela në gjuhën shqipe është vendosur me krenari e respekt, si shenjë se për ne shqipja nuk është zbukurim e simbol fushate, por themel i barazisë dhe dinjitetit tonë qytetar!“, ka shkruar zëvëndësdrejtori, Mustafa Dauti.
Ai tutje ka shtuar që këtë padrejtësi e kanë zgjidhur me vepra dhe jo vetëm me fjalë. Në këtë drejtim, Dauti thotë se ka ardhur epoka e dinjitetit dhe barazisë.
“Ata që për vite të tëra e panë këtë padrejtësi dhe zgjodhën të heshtin, e humbën rastin për të bërë atë që ishte detyrim ligjor dhe moral. Ne, në vend të fjalëve, po bëjmë vepra konkrete. Sot, në Bllacë, shqipja qëndron aty ku i takon në tabelë, në institucion, në zemrën e çdo shqiptari.
Nuk është thjesht një tabelë, por një hap drejt respektit të ndërsjellë dhe epokës së dinjitetit gjuhësor“, ka përfunduar zëvëndësdrejtori, Dauti.
