Sedat Bislimi: Realizojmë projekte me mbi 3 milionë euro për Studeniçanin, ofrojmë zgjidhje edhe për Drisllën

0
16

Sedat Bislimi: Realizojmë projekte me mbi 3 milionë euro për Studeniçanin, ofrojmë zgjidhje edhe për Drisllën

Kandidati nga VLEN për komunën e Studeniçanit, Sedat Bislimi në një intervistë për Alsat-M ka folur për problemet që tangojnë komunën. Ai ka thënë se ka vende që në këtë komunë nuk është investuar me vite në infrastrukturë.

Bisilimi ka shpalosur se ka një program të qartë dhe shpresëdhënës ku në bashkëpunim me qeverinë synon të realizojë investime në të gjitha vendbanimet, pa përjashtime.

“Projektet e qeverisë dhe të VLEN janë të ndajë mjete në çdo komunë shqiptare, komuna jonë realizon projekte me mbi 3 milionë euro, për infrastrukturë rrugore, ujë të pijshëm, turizëm malor etj.

Kur jemi te uji i pijshëm Bislimi thotë se udhëheqësia e kaluar nuk ka bërë asgjë, ka pasur vetëm premtime boshe dhe asnjë zgjidhje.

“Duhet të investojmë në fshatrat Studeniçan, Batincë dhe Moranë, si dhe fshatrat malore, Kolçian i Poshtëm, Vërtekicë dhe tjera me një projekt që financohet përmes qeverisë ku do të mundësohet furnizimi i ujit të pijshëm nga liqenet e Sallakovës. Është në fazën e parë të realizimit dhe zotohemi se për një periudhë të shkurtër do ta zgjidhim këtë çështje dhe banorët nuk do të kenë probleme”, tha Bislimi.

Sipas tij, me udhëheqësinë e re të komunës do të rritet edhe numri i autobusëve për qarkullim nga NPQ për shfrytëzim të transportit publik për nxënësit e shkollave të mesme.

“Si komunë do të tentojmë ta zgjidhim këtë problem në afat sa më të shkurtër”, tha ai.

Lidhur me ndotjen nga deponia Drislla, si një problematikë tejet serioze për banorët, ai thotë se kjo ndodhë për shkak të keqmenaxhimit nga udhëheqësia si e deponisë Drislla dhe kryesisë aktuale të komunës së Studeniçanit që nuk ka ndërmarrë masa për të mbrojtur banorët.

“Pasi të marrim mandatin me drejtuesit e Drisllës do të bëjmë një memorandum bashkëpunimi për zgjidhjen e problemit, që të ndalet ky dëm që i bëhet komunës së Studeniçanit dhe Batincës. Zgjidhja është vendosja e filtrave dhe rregullimi i ujërave të zeza, kemi mbikëqyrë terrenin dhe nëse bëhet një investim, me ndihmën e qeverisë dhe udhëheqësisë së re të Qytetit të Shkupit, ta zgjedhim këtë çështje brenda mandatit tonë 4 vjeçar”, tha ai.