Azizi: Kopallat e Aliut marrin fund më 19 tetor
Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, të cilin e cilësoi si të “tërbuar” pas jehonës së fitores së opozitës shqiptare.
Në një status në rrjetet sociale, Azizi tha se lideri i BDI-së gjatë qeverisjes ka ofruar vetëm retorikë dhe jo projekte konkrete.
“Jehona e fitores së madhe të VLEN-it e ka tërbuar Komandant Soravinë. Ai zatën gjithmonë u tregonte shqiptarëve përralla të Nastradin Hoxhës, në mungesë të projekteve dhe arritjeve konkrete gjatë qeverisjes së tij”, shkroi Azizi.
Deputeti shtoi se Ahmeti ka humbur kontrollin dhe është kthyer në ofendime ndaj qytetarëve.
“Por tani ka rrëshqitur edhe më keq. E ka humbur kontrollin nga humbja që e pret dhe ka kaluar në humor të zi e ofendime të rënda ndaj shqiptarëve. Kopallat e Aliut, bashkë me karrierën e tij politike, marrin fund me 19 tetor”, theksoi ai.
Reagimi i Azizit vjen në prag të zgjedhjeve lokale, ku VLEN synon të marrë drejtimin e disa komunave kyçe.