*Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka paralajmëruar ndryshime në Ligjin për Sigurinë në Trafikun Rrugor, me të cilat do të ndalohet përdorimi i telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike jo vetëm për shoferët e automjeteve motorike, por edhe për këmbësorët dhe çiklistët.
“Me ndryshimet parashikohet ndalimi i përdorimit të telefonave dhe pajisjeve elektronike gjatë drejtimit të biçikletës, mopedëve, motoçikletave, skuterëve, traktorëve dhe mjeteve të tjera, si dhe për këmbësorët gjatë ecjes, kalimit të rrugës ose lëvizjes nëpër shtegun e biçikletave,” deklaroi Toshkovski.
Ai theksoi se masat e reja janë pjesë e projektit “Qytet i Sigurt”, që synon rritjen e sigurisë në rrugë dhe uljen e numrit të shkeljeve në trafik. “Me këto ndryshime sigurojmë kontroll më efikas të shkeljeve – procesverbali me urdhërpagesë do të jetë dokumenti i vetëm për shkeljet më të vogla, ndërsa shkeljet do të konstatohen dhe dokumentohen përmes pajisjeve teknike,” shtoi ministri.
Projekti “Qytet i Sigurt” pritet të nisë së zbatuari në janar të vitit 2026.