Osmani: Qeveria dëshiron t’i largojë shqiptarët nga proceset shoqërore
Në adresimin e tij më të fundit, kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, ashpër e dënoi, siç e quajti, politikën sistematike të pushtetit të ri për margjinalizimin dhe shtypjen e shqiptarëve nga të gjitha proceset shoqërore. Osmani theksoi se nuk bëhet fjalë për incidente të izoluara, por për një projekt të koordinuar të eliminimit. “Qeveria e VMRO-së dhe ZNAM-it, e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, me intensitet të plotë vazhdon ta zbatojë politikën që synon t’i largojë shqiptarët nga proceset shoqërore, duke i kthyer në pozitat periferike të para Marrëveshjes së Ohrit“, shkruan Osmani. Ai e akuzoi Mickoskin për intolerancë të thellë ndaj shqiptarëve, e cila sipas tij, manifestohet si në nivel personal, ashtu edhe institucional.
“Këtë politikë të Mickoskit shpesh e shohim si shprehje të karakterit të tij personal: ‘do t’i tërheqim për vesh’, ‘do t’ua tregojmë vendin’, por edhe në vendosjen e tij profesionale, ose zyrtare, për largimin e shqiptarëve nga rrethet koncentrike të rrethit të tij më të ngushtë: nga Kabineti i tij personal, përmes rrethit më të afërt të mbështetjes administrative në ndërtesën qeveritare, e deri te grupet kryesore të punës së Qeverisë ose delegacionet në vizitat kyçe të punës“, thekson Osmani. Si poshtërim të veçantë për shqiptarët, Osmani e vuri në dukje edhe dhënien e resorit për Marrëveshjen e Ohrit, siç e quajti, “Botës serbe në vend”.
“Si ndryshe të interpretohet dhënia e pozitës kyçe qeveritare për zbatimin, kultivimin dhe avancimin e vlerave dhe përfitimeve të Marrëveshjes së Ohrit, drejtpërdrejt në duart e Botës serbe në vend”, shkruan Osmani. Ai paralajmëroi edhe për një sërë hapash të dëmshëm të tjerë që, sipas tij, e konfirmojnë këtë politikë: nga shfuqizimi i Balancuesit, përmes margjinalizimit të mekanizmit të Badenterit, e deri te largimi i shqiptarëve nga politikat e Bankës Qendrore dhe institucioneve financiare.
“Këto mekanizma – Badenteri, Balancuesi, përfaqësimi gjuhësor etj, janë mekanizma mbrojtës nga majorizimi, dhe pikërisht ata janë pengesa më e madhe për zbatimin e politikës radikale nacionaliste të Mickoskit, VMRO-së dhe ZNAM-it ndaj shqiptarëve”, nënvizoi Osmani. Në adresim ai tregoi edhe rolin e të ashtuquajturve lojtarë proksi të Mickoskit, si Gjykata Kushtetuese, KSHZ-ja, Banka Qendrore dhe trupa të tjera, përmes të cilëve realizohet kjo strategji. Sipas tij, më të përbuzur janë mbetjet e VLEN-it në Qeveri.
“Edhe ata vetë janë të poshtëruar dhe të përjashtuar nga tryeza kur maqedonasit marrin vendime, por tragjedia më e madhe është se më pas duhet të luajnë rolin e nënshtruarve – t’i zbatojnë, t’i arsyetojnë dhe t’u japin legjitimitet këtyre vendimeve”, thekson Osmani. Si përgjigje ndaj gjithë kësaj, Osmani tha se këto zgjedhje janë referendum për dinjitetin dhe barazinë e shqiptarëve.
“Kjo nuk është më një betejë e zakonshme politike. Ky është një moment historik në të cilin shqiptarët duhet të deklarohen – a do të pranojnë sërish të jenë vëzhgues të heshtur ndërsa i fshijnë nga sistemi? A do të lejojnë të jenë sërish ‘të toleruar’ në vend që të vlerësohen?”, pyet Osmani. Ai theksoi se shqiptarët nuk do të heqin dorë nga perspektiva evropiane e shtetit dhe do t’i kundërvihen çdo përpjekjeje për t’u afruar drejt qendrave gjeopolitike anti-perëndimore.
“Shqiptarët nuk duan të heqin dorë nga e ardhmja evropiane e këtij vendi; nuk duan të shohin të heshtur se si ky shtet shkon në përqafimin e botës serbe dhe përqafimet kinezo-ruse, por duan ta shohin si një shtet modern, pro-perëndimor, anëtar të plotë të NATO-s dhe BE-së”, thekson Osmani. Adresimi përfundon me një mesazh për të gjithë ata që, siç thotë ai, nuk kuptojnë pse këto zgjedhje trajtohen si historike për shqiptarët: “Nuk kuptojnë, por së shpejti do t’u bëhet e qartë”.