Letër ngushëllimi
إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ
“Të All-llahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”
Me dhimbje të papërshkrueshme dhe me zemra të lënduara thellë morëm lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga kjo jetë, pas një aksidenti të rëndë, të të riut të dashur Edi Nasufi.
Në këto çaste pikëllimi, Myftiu i Strugës H. Adi ef. Murtishi, në emër të Myftinisë së BFI-së Strugë, Imamëve dhe nënpunësve fetarë, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të dhimbshme për familjen e tij dhe gjithë të afërmit.
Largimi i tij i hershëm është dëshmi e brishtësisë së jetës dhe kujtesë për çdo besimtar se kjo botë është vetëm një udhëtim i shkurtër drejt Takimit me Zotin. All-llahu i Madhëruar thotë:
“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen, e pastaj vetëm tek Ne do të ktheheni.” (El-Ankebut, 57)
E lusim All-llahun e Gjithëmëshirshëm që t’i falë mëkatet, ta shndërrojë këtë ndarje të dhimbshme në derë të mëshirës së Tij, t’ia ndriçojë varrin dhe ta bëjë banor të përjetshëm të Xhenetit Firdeus.
Familjes së pikëlluar, All-llahu u dhëntë sabër e durim, duke kujtuar fjalën e të Dërguarit ﷺ:
“Nuk i bie muslimanit ndonjë fatkeqësi, e pastaj ai të thotë: “Të All-llahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”, All-llahu im, më shpërble për këtë fatkeqësi dhe më jep më të mirë se ajo’, veçse All-llahu do ta shpërblejë dhe do t’i japë më të mirë.” (Muslimi)
Në këtë dhimbje që na prek të gjithëve, lutjet tona janë me familjen. Zoti ua ktheftë lotët në mëshirë, dhembjen në forcë, dhe këtë humbje ta shndërrojë në shkak për afrimin e tyre edhe më shumë tek Ai.
Me respekt dhe lutje,
Në emër të Myftinisë së BFI-së Strugë, Imamëve dhe nënpunësve fetarë,
Myftiu i Strugës,
H. Adi ef. Murtishi