Mjeku i njohur i zemrës Dr. Sashko Kedev në emisionin “Stadion” të Kanal 77 deklaroi se në disa klinika private në Maqedoninë e Veriut operohen pacientë të cilët nuk kanë nevojë as për stend, e lëre me për operacione.
“Imagjinoni hapin krahërorin pa nevojë” tha dr. Kedev.
Sipas tij, qëllimi i këtyre klinikave është ana materiale dhe për asnjë moment nuk jepet llogari për shëndetin e pacientëve dhe këtu mendoj se duhet të veproj ministria e shëndetësisë dhe fondi i sigurimit shëndetësor pasi ata i bëjnë pagesat.
Por sot spitali privat “Acibadem Sistina” në Shkup i kërkoi dr.Kedevit të precizojë se për cilin spital bëhet fjalë në deklaratën e tij, duke i kërcënuar me padi për shpifje dhe fyerje nëse ai nuk e bën këtë. Nga “Acibadem Sistina” kanë theksuar se atq janë institucion shëndetësor me reputacion të lartë në vend dhe rajon, i ndërtuar gjatë 25 viteve të fundit, si dhe se spitali është pjesë e grupit të dytë më të madh të spitaleve në botë dhe i njohur për ekipin e shkëlqyer mjekësor prej 260 mjekësh, të cilët i qasen çdo pacienti me profesionalizëm, kompetencë dhe përkushtim të plotë. Ata theksojnë se vendimet për trajtime dhe ndërhyrje merren ekskluzivisht me qasje multidisiplinare, të bazuara në indikacione mjekësore dhe standarde etike më të larta.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë njoftoi se tashmë është duke u koordinuar për të verifikuar pretendimet e ndara në opinion për ndërhyrje të mundshme të panevojshme mjekësore, si dhe për të kryer kontrolle të menjëhershme dhe të jashtëzakonshme me qëllim marrjen e një pasqyre të plotë nëpër këto klinika private.
Por, ja çfarë tha dr.Kedev në Kanal 77 më gjerësisht se çfarë ndodhë në spitale private ku kryhen ndërhyrje të panevojshme me qëllim përfitimi më të madh.
“Pjesa më e madhe e aktivitetit tim konsultativ është në largimin e njerëzve nga ndërhyrjet e panevojshme, stentimet e panevojshme, operacionet e panevojshme. Aktualisht përballemi me diçka të frikshme, që janë pikërisht këto ndërhyrje të panevojshme, të cilat janë të orientuara drejt fitimit. Kemi proliferim të spitaleve private, interesi i të cilave është fitimi. Këto janë gjëra lehtësisht të vërtetueshme, ne kemi dëshmi që disa qendra duhet të mbyllen nga aspekti mjekësor. Po të ndodhte kjo në Angli ose në Amerikë, ato do të ishin të mbyllura. Kanë operuar pa nevojë, kanë hapur kafazin e kraharorit pa nevojë, ne kemi dëshmi për këtë. Kjo është diçka fascinante, për të cilën institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin diçka, para së gjithash Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi, sepse ata paguajnë për disa nga këto ndërhyrje. Po flasim për probleme shumë serioze etike, të lidhura me përfitimin”, kisht theksuar Kedev. (INA)