Hapja e tenderëve drejtpërdrejt dhe monitorimi i pavarur, transparencë pa justifikime paralajmëroi Osmani për Çairin
Prokurimet publike të zhvilluara nga institucionet shtetërore ose nga vetëqeverisjet lokale gjithmonë janë temë kryesore analize, por edhe dyshimi për mundësi keqpërdorimesh. Procedura të komplikuara, kritere të dyshimta, deri tek rreziku i korrupsionit. Edhe pse ekzistojnë mekanizma mbrojtës dhe përpjekje të shumta për transparencë në proceset e prokurimeve publike, ky sektor vazhdon të mbetet burim potencial korrupsioni.
Në prag të zgjedhjeve lokale, kandidatët për kryetarë komunash shfaqen në terren dhe premtojnë një numër të madh projektesh e përfitimesh për qytetarët, por pak prej tyre paraqesin projekte reale me afate konkrete për realizimin e tyre.
Bëmë një analizë të premtimeve të kandidatit për kryetar të Komunës së Çairit nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani. Ndryshe nga shumica e kandidatëve që flasin kryesisht për projekte infrastrukturore e materiale, Osmani paralajmëron edhe mekanizma konkretë me të cilët Çairi do të bëhet komunë transparente. Sipas tij, këta mekanizma do të mundësojnë që më shumë mjete të drejtohen drejt projekteve reale me interes për qytetarët, në vend që të humbasin në praktika korruptive.
Me qasjen qytetarët të parët, Osmani paralajmëroi se do t’i përfshijë ata edhe në mbikëqyrjen e shpenzimeve të komunës, por edhe si mekanizëm alarmues për reagim të shpejtë ndaj problemeve të përditshme komunale me të cilat përballen.
Osmani prezantoi katër mekanizma të bashkuar në të ashtuquajturin “Syri qytetar”, përmes të cilëve puna e komunës, veçanërisht në pjesën e prokurimeve publike, do të bëhet transparente dhe e hapur për të gjithë qytetarët e interesuar, dhe automatikisht më pak e prekshme nga korrupsioni.
Konkretisht, përmes hapjes publike të tenderëve që do të regjistrohet dhe transmetohet drejtpërdrejt, ndërsa incizimi do të jetë i qasshëm online jo vetëm gjatë procesit por edhe më tej, çdo qytetar do të mund ta ndjekë se si zgjidhen ofertat në prokurimet publike.
Për më tepër, siç sqaroi Osmani, i gjithë procesi do të zhvillohet edhe nën monitorim të pavarur nga OJQ-të dhe ekspertët kundër korrupsionit. Kjo do të jetë hera e parë që një komunë përfshin organizata qytetare që e njohin problematikën dhe që janë më shpesh alarmues për rreziqet e mundshme të keqpërdorimeve në prokurimet publike. Mbikëqyrja e jashtme dhe e pavarur, sidomos në tenderët më të mëdhenj, do të jetë garanci për një procedurë të drejtë dhe ligjore.
Për transparencë më të madhe mbi atë se ku shpenzohen paratë e qytetarëve, por edhe sa mjete derdhen në llogarinë e komunës, Osmani paralajmëroi futjen e një “arkë publike”, pra një mjet online për ndjekjen e të ardhurave dhe pagesave të komunës. Sistemi për kontroll më të madh mbi shpenzimet e komunës do të automatizohet gradualisht edhe përmes përdorimit të inteligjencës artificiale, e cila do të gjenerojë mjete që eliminojnë anshmërinë njerëzore dhe do të sinjalizojnë nëse diçka nuk është në përputhje me ligjin.
Përveç mekanizmit “Syri qytetar”, Osmani paralajmëroi edhe kanale shtesë përmes të cilave komuna do të jetë më e hapur ndaj qytetarëve dhe më e përgjegjshme ndaj problemeve të tyre. Këto janë: “Çair 48”, që do të ofrojë përgjigje/zgjidhje ndaj paraqitjeve brenda 48 orëve për problemet e natyrës komunale; e marta si “ditë e hapur” pa nevojë për caktim termini; si dhe një kalendar publik të takimeve dhe vendimeve të komunës. Një pjesë e këtyre kanaleve, siç theksoi Osmani, tashmë ekzistojnë edhe në komuna të tjera, por fatkeqësisht nuk funksionojnë.
Përmes këtyre mekanizmave dhe kanaleve, Osmani paralajmëron zgjidhjen e mungesës së efikasitetit, koordinimit të dobët mes shërbimeve dhe mungesës së afateve të dukshme, si dhe problemin më kritik aktualisht në Çair: jotransparencën dhe ekspozimin ndaj korrupsionit.