*Ngjarjet e ndodhura mbrëmë në një ndeshje basketbolli në qytetin e Kumanovës kanë nxitur reagimin e ashpër të kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Taravari dënon ofendimet e bëra nga disa tifozë maqedonas, të cilët në prani të figurave të larta shtetërore kanë sharë në kor shqiptarët, familjet dhe origjinën e tyre.
“Na është sharë nëna, familja, origjina, fisi dhe fara në kor nga tifozë maqedonas,” shkroi Taravari, duke theksuar se gjithçka ka ndodhur në prezencë të Kryeministrit Hristijan Mickoski, përfaqësuesve të koalicionit VLEN, ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, dhe zyrtarëve të tjerë shtetërorë.
Ai vuri në dukje se Kryeministri ka zgjedhur të heshtë përballë këtyre provokimeve, duke kujtuar se vetëm disa ditë më parë ishte vetë ai që ndezi gjuhën e urrejtjes me shprehje si “kaur”, që rindezin ndasitë ndëretnike në vend.
“Kjo është një frymë e rrezikshme që duhet dënuar dhe shuar menjëherë,” theksoi Taravari, duke paralajmëruar se kjo atmosferë përçmuese dhe nacionaliste mban erë destabilizimi dhe ndikim të huaj, përtej kufijve të Maqedonisë së Veriut.
Në përmbyllje, Taravari apelon për qetësi, por nënvizon se heshtja ndaj gjuhës së urrejtjes nuk është zgjidhje dhe institucionet duhet të reagojnë me vendosmëri për të ruajtur bashkëjetesën ndëretnike në vend.