Gazetar: Miki Trajkovski
Kërkesë masive për punëtorë në hotelet dhe objektet e tjera gastronomike në rivierën e Ohrit dhe Strugës, para fillimit të sezonit turistik. Vlerësohet se nevojiten nga 5000 deri në 7000 punëtorë. Nuk ka objekt që nuk ka nevojë për personel. Në Qendrën e Punësimit në Strugë çdo ditë arrijnë disa kërkesa të tilla nga pronarët e objekteve. Pritet që ky numër të rritet edhe më shumë në muajt maj dhe qershor.
Dika shpjegon se megjithëse ka interes për punësimin e punëtorëve nga vendet e treta, këtë vit ky numër do të jetë dukshëm më i vogël krahasuar me vitin e kaluar. Verën e kaluar, një pjesë e mirë e punëtorëve nga Nepali, Bangladeshi dhe Filipinet që punonin në Ohër, largoheshin brenda natës drejt Evropës, duke e përdorur vendin vetëm si vend tranziti. Por, në anën tjetër, po rritet ndjeshëm numri i kërkesave për angazhimin e nxënësve të shkollave të mesme dhe pensionistëve.
Edhe gastronomët thonë se sjellja e fuqisë punëtore nga jashtë verën e kaluar nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Në objektin e Musa Rashidit në Ohër vitin e kaluar punuan 11 punëtorë nga Nepali, por tani kanë mbetur vetëm katër.
“Nuk e dha efektin e duhur, sepse marrëdhënia që ishte…pranonim njerëz nga ai rajon i botës, ata na përdornin për të kaluar kufij të tjerë dhe nuk pati efektin e pritur. Për këtë arsye do të duhet sërish të fokusohemi tek njerëzit tanë, të rrisim pagat kurse Qeveria të na sigurojë kushte për subvencione, që të mund t’i mbajmë punëtorët tanë këtu”, tha Musa Rashid – pronar hoteli në Ohër.
Gastronomët theksojnë se një tjetër problem janë edhe procedurat e gjata dhe të ndërlikuara për sjelljen e punëtorëve nga jashtë, për të cilat shpesh duhet të presin disa muaj. Edhe pse ka kërkesë për punëtorë, është vështirë të gjenden, sepse mijëra të rinj, madje edhe familje të tëra, edhe këtë verë do të punojnë kryesisht në bregdetin kroat, ku pagat janë dy deri në tri herë më të larta se ato në Maqedoni në sektorin e turizmit. /Alsat.mk