Sekretari i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, në intervistë për Alsat tha se vendimi për të shkuar me lista të veçanta në zgjedhje nuk është vendim i ri por daton që nga tetori i 2024. Ai shtoi se nuk ka mundësi të vetpërjashtohesh nga aty ku nuk ftohesh.
“Ata sot nuk na ftuan në takim e më vonë deklaruan se jemi vetpërjashtuar, si ka mundësi të vetpërjashtohesh nga aty ku nuk ftohesh”.
Ramadani, tha se vendimi për të shkuar me lista të veçanta në zgjedhje nuk është vendim i ri por daton nga tetori.
“Ne si subjekt realizojmë takime mujore të rregullta, mbrëmë ftuam edhe kryetarët e degëve dhe si konstatim i asaj mbledhje ishte që ne si ASH të shkojmë me lista të veçanta për këshilltarë në çdo komunë shqiptare. Ky nuk është vendim i ri, ne këtë e kemi kumtuar nga tetori i vitit të kaluar. Partnerët e koalicionit e kanë ditur, ky është qëndrim i kamotshëm i joni si Aleancë për Shqiptarët”.
Ai tha se për ASH-në nuk është fare problem edhe nëse dalin nga qeveria sepse jo më larg se vitin që lamë pas kanë dorëzuar gjitha pozicionet. Pra sipas tij e rëndësishme për ta është mbrojtja e intersave të shqiptarëve.
“Nuk është tragjike edhe nëse na përjashtojnë nga Qeveria është e drejtë e kryeministrit, për ne nuk është shqetësim. E kemi të freskët memorien, kur pikërisht para një viti ne bashkë me shokët i dorëzuam pozitat qeveritare dhe dolëm në opozitë, për tu bërë bashkë me VLEN-in dhe ta sjellim ndryshimin. Nuk luan rol a jemi në opozitë apo në pozitë, ajo që luan rol është të gjejmë modusin t’i mbrojmë interesat e shqiptarëve”, tha Ramadani.
Ramadani tha se takim mes Ahmetit dhe Taravarit nuk ka pasur, por pranoi se në telefon janë dëgjuar.
“Në bazë të informacioneve që i kam Kryetari ka realizuar një bisedë telefonike me kreun e BDI-së, takim kokë me kokë nuk ka pasur, nëse i apostrofoheni takimit, ajo ishte një ftesë nga presidenti Begaj, kur u kthye nga Bullgaria dhe u ndal në shkup, unë isha bashkë me kryetarin dhe ishim të parët në takim pas një ore erdhi edhe Ahmeti bashkë me Osmanin dhe kultura politike e kërkon ta përshëndetësh pa marrë parasysh a je kundërshtar politik duhet të përshëndet. Kjo mendoj që është kulturë politike”, tha Ramadani.