Zgjedhjet e dyfishta që do të mbahen në prill dhe maj do t’i kushtojnë shtetit gati 17 milionë euro, tha nënkryetarja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) Ditmire Shehu.
Shehu në seancën e sotme të KSHZ-së ka sqaruar se mbi 6 milionë euro do të shkojnë për organizimin e zgjedhjeve, duke siguruar materiale konfidenciale dhe jokonfidenciale, transport, kompensim financiar për organet zgjedhore, përkatësisht anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore, këshillat zgjedhorë, ndërsa për marketing politikë të paguar janë planifikuar 656 milionë denarë ose më shumë se 10.614.000 euro për reklama për zgjedhjet e dyfishta.
“Dua tw theksoj se sa mjete do të shpenzohen për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, sepse për zgjedhjet presidenciale do të përdoren më shumë mjete në pjesën e reklamave politike me pagesë, sepse në raundin e parë për zgjedhjet presidenciale, të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhjet kanë të drejtë nga dy euro për një votues të regjistruar në Listën zgjedhore. Po ashtu, nga një euro kandidatët që do të jenë në raundin e dytë. Ndërsa për zgjedhjet parlamentare, dy euro do të jepen për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, edhe për votuesit e regjistruar. Më lejoni të them këtu se nga fondet totale që kërkuam nga Ministria e Financave, të gjitha fondet na janë dhënë, na mungon vetëm pjesa e reklamave politike me pagesë, ku ramë dakord me vetë ministrin e Financave që këto mjete të plotësohen më vonë, sepse fondet për reklamat politike me pagesë paguhen 30 ditë pas përfundimit të rezultateve. Kjo nuk do të ndikojë dhe nuk do të kemi probleme gjatë organizimit të zgjedhjeve”, thotë Shehu.