Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është e vështirë të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë të dhënë ditë më parë për televizionin “N1” të Bosnjës, Kurti tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është student politik i Vojislav Sheshelit, kurse vetë ai është student i Adem Demaçit.
Kurti ka theksuar se dialogut duhet t’i japim shancë, por këto janë dy vizionet e ballafaqimit dhe përplasjes tonë.
Pjesa e shkëputur nga kjo intervistë është publikuar në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.
“Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë sot, është student politik i Vojislav Sheshelit. Ndërsa unë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, unë jam student politik i Adem Demaçit. Dhe ky ballafaqim, kjo përplasje ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, është në një mënyrë thelbësore, përplasje ndërmjet Adem Demaçit, atij vizioni dhe asaj trashëgimie dhe Vojisllav Sheshelit në anën tjetër. Andaj unë e pranoj që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë e lehtë, por megjithatë mendoj që duhet t’i jepet shanse dialogut dhe të shpresojmë e të punojmë për më mirë”, tha Kurti.
Për të parë videon klikoni KËTU. /Telegrafi/