Demokrati nga Florida, Maxwell Alejandro Frost, një shofer 25-vjeçar taksie, ka fituar një vend në Kongres, duke u bërë i pari përfaqësues i asaj që amerikanët e quajnë Gjenerata Z (të lindurit midis fundit të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2010) që merr një post të tillë. “Ne fituam! Historia u bë sonte. Ne bëmë histori për qytetarët e Floridas, për Gjeneratën Z dhe për këdo që beson se ne meritojmë një të ardhme më të mirë”, shkruan Frost në Twitter. “Jam shumë mirënjohës për mundësinë për të përfaqësuar shtëpinë time në Kongresin e Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai. Frost fitoi me 59% të votave ndaj republikanit Calvin Wimbish një ish-ushtarak, konservator dhe konstitucionalist dhe do të përfaqësojë zonën e Orlandos në Distriktin e 10-të të Kongresit të shtetit Sunshine. Për t’u bërë anëtar i Kongresit, kandidatët duhet të jenë të paktën 25 vjeç.
Po kush është anëtari më i ri i Kongresit të SHBA? Maxwell Alejandro Frost njihet si aktivist i reformës së armëve dhe drejtësisë sociale. Në prag të fushatës së tij, Frost drejtoi dhe “March for Our Lives” një organizatë që kërkon më shumë kontroll për armët në Shtetet e Bashkuara.