Të paktën 174 persona kanë vdekur në një rrëmujë në një ndeshje futbolli në Indonezi, ka raportuar “BBC” këtë të diel.
Kurse, më shumë se 180 persona u lënduan gjithashtu pas ndeshjes mes Aremas dhe Persebayas, që u mbyll me rezultatin 2-3, transmeton Gazeta Express.
E gjithë kjo tragjedi nisi pasi tifozët e ekipit vendas nuk u pajtuan me faktin e humbjes nga rivalët e tyre. Ata pushtuan fushën e lojës, derisa filluan edhe të shkatërronin çdo gjë.
Pasi situata eskaloi, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Ndërsa u përhap paniku, mijëra njerëz vraponin drejt daljeve të stadiumit “Kanjuruhan”, ku shumë persona raportohet se u mbytën aty.
Raportet fillestare thanë se numri i të vdekurve është rreth 130, por zyrtarët më vonë njoftuan një rritje të konsiderueshme që e çoi shifrën në 174, derisa 11 tjerë janë në gjendje shumë të rëndë.
Presidenti Joko Widodo ka urdhëruar që të gjitha ndeshjet në elitën e futbollit të Indonezisë duhet të ndalen derisa të kryhet një hetim rreth tragjedisë së ndodhur të shtunën. /Gazeta Express/