Zv/ kryeministri Artan Grubi tha sot se i gjithë kontinenti përballet me një dimër shumë të vështirë, prandaj u bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, ndërsa tha se institucionet dhe drejtuesit e tyre, duhet të jenë shembull për kursim edhe të energjisë elektrike dhe të gjitha resurseve shtetërore.
Ai u bëri thirrje gazetarëve që të kontrollojnë çdo ditë të gjitha institucionet, duke filluar nga Qeveria, Kuvendi, ministritë, se cilat masa për kursim zbatohen në përputhje me vendimin e qeverisë që ka hyrë në fuqi më 1 shtator.
“Ju bëj thirrje t’i kontrolloni çdo ditë të gjitha institucionet, duke filluar nga Qeveria, Kuvendi, ministritë tona, për atë se cilat masa të kursimit i zbatojnë në përputhje me vendimin e Qeverisë dhe para vendimit të Qeverisë. Për shembull Ministria e Sistemit Politik ka fikur gjithë ndriçimin e jashtëm dhe të brendshëm jashtë orarit të punës. E njëjta vlen edhe për masat tjera për kursim të energjisë elektrike”, deklaroi Artan Grubi.