Ky vendim është marrë nga këshilli drejtues i kësaj shkolle dhe i njëjti është shpërndarë në rrjete sociale nga avokati i arsimtares, Muhamet Mujaj.
“Duke u mbështetur në UA.nr.03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformës fetare, i gjithë këshilli unanimisht vendosi që nuk i lejohet arsimtares së matematikës z. Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniformë fetare”, thuhet në këtë dokument.
Vendimi është bazuar në udhëzimin administrativ, për të cilin u bë fushatë në rrjete sociale që të ndryshohet, në mënyrë që të lejohet bartja e shamisë në shkolla.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte thënë se udhëzimi administrativ që ua ndalon nxënësve bartjen e uniformës fetare në shkolla është në fuqi dhe nuk do të ndryshojë.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ishte përfshirë në këtë debat për ndryshimin e udhëzimit administrativ, duke thënë se shamia duhet të lejohet në institucionet publike dhe në shkolla, por pragu duhet të jetë mosha 16-vjeçare.