Të nderuar të pranishëm, të nderuar gazetarë, përshëndetje!
Unë si punonjës i arsimit me rreth 25 vite përvojë pune dhe në veti të kryetarit të Degës së ASH – në Strugë, në emrin tim personal dhe në emër të Degës së ASH – në Strugë, urojmë për fillim të mbarë në vitin shkollor 2022/2023 të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe nxënësit e shkollave të mesme në Komunën e Strugës, dhe paçit sukses në mësim, edukim dhe aftësim, si dhe në të gjitha drejtimet e jetës në vitin shkollor 2022/2023.
Poashtu, të gjithë mësuesve, arsimtarëve, profesorëve dhe të gjithë të punësuarve në sferën e arsimit, u dëshirojmë fillim të mbarë të vitit shkollor dhe suksese në misionin e tyre kombëtar, në arsimimin dhe edukimin e nxënësve, u dëshirojmë fillim të mbarë dhe punë të palodhshme në nxënien e dijes tek nxënësit në vitin shkollor 2022/2023, me bindjen se tashmë të gjithë e kemi kuptuar, edhe ju mësues e arsimtarë, edhe ju prindër e ju të dashur nxënës, rëndësinë dhe vlerën e pajisjes me dije, arsim dhe edukatë, sidomos ju brezat e rinj, ju e ardhmja jonë në shekullin XXI.
Edhe ne kete fillim viti shkollor Organet kompetente lokale – komuna e Strugës dhe organet kompetente qendrore – Ministria e Arsimit dhe Shkencës, vazhdojne te mbesin te shurdhet dhe neglizhues ndaj problemeve te arsimit te mesem dhe fillor, sidomos gjendjen e objekteve shkollore dhe infrastruktures ne te cilet zhvillohet mesimi ne shkollat fillore dhe te mesme.
Per kete arsye nevojitet sa më parë të ndërmarrin hapa serioz dhe të nevojshme, të kuptojne rëndesinë e procesit kualitativ per mbajtjen e mesimit, si dhe kërkesave dhe shqetësimeve të nxënësve – substancës, për të cilët ekzistojnë shkollat dhe pa të cilët nuk mund të funksionojnë shkollat.
U drejtohemi Organet kompetente lokale – komunes se Strugës, Inspektoratit te Arsimit, Njesia rajonale ne Struge, të pengojnë fenomenin e politikbërjes nëpër objektet shkollore dhe punësimin e kuadrit joadekuat, në kundërshtim me ligjin, por të përshtatshëm politik për partitë politike në pushtet, duke filluar nga pastruesi deri tek drejtori i shkollës.
Organet kompetente, poashtu, të punojnë në ngritjen e personalitetit dhe dinjitetit të stafit punues arsimor dhe nxënësve, sepse karriera dhe suksesi në jetë i secilit prej nesh në çfarëdoqoftë pune dhe pozicioni që jemi, fillon në bankat dhe karriget e shkollës.
Aleanca për Shqiptarët – Dega në Strugë, edhe një herë në fillim të vitit shkollor 2022/2023, denoncon problemet dhe fenomenet negative që karakterizojnë arsimin fillor dhe të mesëm në komunën e Strugës, por edhe më gjërë, të instaluara nga i pari i Komunës së Strugës dhe që ndikojnë drejtpërdrejtë në suksesin e arsimit dhe edukimit të nxënësve tanë, duke krijuar kaos ne arsim.
1. Asnjë Investim Kapital në Objekte dhe Inventar për zhvillimin dhe përmirësimin e nivelit arsimor në Komunën e Strugës, fal disa investimeve nga afaristë privat dhe mërgimtarëve tanë që mundohen sadopak të ndikojnë dhe përmirësojnë gjendjen në arsim, dhe shfrytëzoj rastin që ne si ASH ti faleminderojmë pafund në ndihmën e tyre.
2. Asgjë nga digjitalizimi i shumëpërfolur nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, në shkollat Fillore dhe të Mesme në Komunën e Strugës.
3. Vazhdon emërtimi partiak dhe joligjor i drejtorëve të shkollave komunale.
4. Punësime partiake dhe joadekuate të personelit arsimor për lëndët mësimore.
5. Probleme të shumta në gjendjen e infrastrukturës së shkollave dhe inventarit të shkollave, një numër i shkollave nuk kanë fasadë dhe ato të cilat kanë, lënë për të dëshiruar për shkak të cilësisë së dobët të punimeve.
6. Probleme të shumta në lidhje me transportin e nxënësve në shkollë, e drejtë e garantuar me ligj për nxënësit.
7. Probleme të shumta në lidhje me furnizimin me libra dhe tekste shkollore të nxënësve në shkollë, e drejtë e garantuar poashtu me ligj për nxënësit.
8. Probleme në lidhje me sigurimin e lëndës ngrohëse të objekteve shkollore, e drejtë e garantuar me ligj për nxënësit.
9. Probleme në lidhje me krijimin dhe pajisjen e laboratoreve si dhe sallave sportive për aktivitete mësimore në shkollë, e drejtë e garantuar me ligj për nxënësit.
10. E fundit dhe më e rëndësishmja, BDI dhe ministrat e saj nëpër kabinete qeveritare për 20 vite rradhazi dëshmojne se jane të afte të lejojnë dhe pranojnë funksionimin e Universiteteve private gati në çdo qytet, me mija probleme për mënyrën e funksionimit të tyre, ku një nga to edhe në Strugë, por nuk kan kapacitet të hapin 1 paralele në gjuhën shqipe në asnjë nga shkollat e mesme në Ohër, 15.0 km nga Struga.
Për këto arsye, Aleanca për Shqiptarët – Dega në Strugë, kërkon nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, kuadër i Universitetit të Kryetarit të Strugës, të sigurojë mjete financiare për përmirësimin dhe rregullimin e gjendjes së shkollave komunale në Strugë, dhe të mos reklamohet me punimet e bëra nëpër shkollat e tjera jashtë komunës së Strugës. Sa për shembull, merreni dhe krahasoni gjendjen e shkollës së fshatit Frëngovë, dhe të gjitha shkollave të tjera komunale, me gjendjen e shkollave që ju reklamoni gati çdo ditë. Së bashku me të parin e komunës së Strugës, vendoseni në zbatim mësimin gjithëditor për nxënësit e klasave të ulta në shkollat fillore për hir të suksesit të nxënësve, sistematizoni numrin e nxënësve nëpër klasa dhe numrin e të punësuarve në shkolla, etj.
Ramiz Merko, me këshilltarët e tij ka miratuar për qejfet e veta, buxhetin personal vjetor për dreka e për darka, e dhurata apo thënë ndryshe “ rrush e kumbulla ” prej 80.000,00 Euro, ose 220,00 euro në ditë, me çka është bërë temë dite në të gjitha mjetet e informimit dhe analistëve politik dhe ekonomik në vend, e që e harxhon në restorane të rrethit të tij të ngushtë politik, duke e rritur borxhin e komunës së Strugës, në vend se ta zvogëlojë në minimum, dhe me ato mjete të krijojë fond për shpërblimin e nxënësve dhe punonjësve të arsimit me suksese shembullore në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme.
I propozojmë që këtë buxhet ta vendosë në funksion të krijimit të fondit për ndihmë të harxhimeve elementare të nxënësve në klasën e parë në fillore, të krijojë Akademi Rinore në Strugë për ngritjen e përvojave të rinisë në Strugë, në arsim, sport, kulturë, në aktivitete sociale dhe çdo vit në institucionet publike komunale të punësojë nga 10 studentë ekselent, pa kushtëzime politike si që është praktikë e përditshme me të rinjtë struganë dhe punësime të kuadrove nga Universiteti i tyre, shpesh herë edhe jokompetentë për punën që (nuk) e bëjnë.
Të dashur nxënës, të nderuar mësimdhënës, gjendjen e rëndë politike, ekonomike dhe morale të popullit tonë në këtë shekull, do ta drejtojmë vetëm me rritje të nivelit të dijes – jemi shumë poshtë në statistikat – rangimet ndërkombëtare, dhe me angazhim të njerëzve të arsimuar, të aftë, serioz, meritor dhe punëtorë, që besojnë në dije dhe në rregulla ashtu siç bën e gjithë bota e zhvilluar. Tjeter zgjidhje nuk kemi!
Ju faleminderit!