Këtë vit shkollor po e nisim më të përgatitur se të mëparshmit, nxënësit që në ditën e parë do të kenë tekste dhe materiale ndihmëse. U punua intensivisht në programet e reja shkollore për klasat e para, të dyta, të katërta dhe të pesta, për të cilat Byroja për Zhvillimin e Arsimit përgatiti përmbajtje interesante dhe interaktive dhe po përgatiten librat e ri. Ato janë në faza të ndryshme miratimi, në mënyrë që nxënësit të kenë çfarë të mësojnë, janë përgatitur materialet mësimore për tremujorin e parë. Kështu ka theksuar ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, në konferencën e sotme për media, ku ka folur për aktivitetet që Ministria e Arsimit ka ndërmarrë deri më tani dhe për planet e mëtutjeshme.
– Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka punuar shumë për të përmbushur vizionin e një sistemi arsimor kombëtar që do të ofrojë shërbime arsimore cilësore për qytetarët në të gjitha segmentet e tij. Të gjitha aktivitetet janë bërë në atë drejtim dhe vëmendje e barabartë i është kushtuar arsimit fillor e të mesëm, si dhe arsimit të lartë dhe shkencës, tha Shaqiri.
Në periudhën e kaluar, theksoi ministri, me SASHK – un është arritur një rritje historike prej 15% përqind. Rritja e pagave të mësimdhënësve prej 15% përqind, e cila do të fillojë të paguhet me pagesën e pagës së shtatorit.
– Me partnerin tonë SASHK, kemi ende shumë punë të përbashkët në periudhën e ardhshme, që është përcaktimi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të reja kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe definimi i një sërë masash dhe politikash të përbashkëta për përmirësimin e cilësisë së arsimit në të ardhmen, shtoi ministri.
Shaqiri në fjalën e tij theksoi se buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për investime në infrastrukturë për të dytin vit radhazi arrin në më shumë se një miliard denarë, që paraqet një rritje prej 2.5 herë më shumë se 2 apo 3 vitet e mëparshme.
– Gjatë periudhës së verës ka përfunduar rikonstruksioni i një sërë objektesh shkollore, pra i asaj që është trashëguar si aktivitet aktual dhe 20 të tjera janë duke u rikonstruktuar. Po ndërtohen disa objekte të reja shkollore. Po ndërtojmë edhe dy salla të reja sportive dhe së shpejti do të fillojë ndërtimi i disa të tjerave, tha ministri.
Ai iu referua edhe punësimit të asistentëve arsimorë për nxënësit me zhvillim jotipik, numri i të cilëve këtë vit shkollor do të jetë 720.
– Në fushën e shkencës kemi buxhet prej 218 milionë denarë vetëm për projekte të institucioneve publike shkencore dhe të arsimit të lartë dhe për pajisjen e tyre me mjete laboratorike. Kjo nuk ekzistonte në të kaluarën, dhe tani është bërë një hap i madh për të mbështetur punonjësit shkencorë dhe kërkimorë. Në arsimin e lartë nevojitet një koordinim më i madh me institucionet autonome dhe do të bëj gjithçka që kam në dorë që të shohim rezultate më të mira në renditjen botërore të universiteteve, tha Shaqiri, duke shtuar se Ligji për standardin e studentëve dhe ushqimin e subvencionuar të studentëve është rishikuar për të mbështetur të gjithë ata që kanë vërtet nevojë, njëkohësisht është zgjatur dhënia e bursave për studentët që do të regjistrohen në një nga universitetet më të mira të botës.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës