Mediet greke kanë publikuar detaje të reja në lidhje me vdekjen tragjike të 6-vjeçares shqiptare, e cila u mbyt më datë 23 gusht në plazhin e Korinthit në sy të babait.
6-vjeçarja është pikasur nga një peshkatar nën një varkë të ankoruar dhe është transportuar me ambulancën e EKAB në Spitalin e Përgjithshëm të Korinthit, ku është konstatuar e vdekur.
Peshkatari që gjeti Amelian e vogël ka dhënë një intervistë për televizionin grek MEGA, ku zbulon detaje rrëqethëse nga ngjarja që tronditi Shqipërinë dhe vendin fqinj.
Sipas rrëfimit të tij babë e bijë po drekonin në një restorant që ishte shumë larg nga vendi ku u mbyt Amelia e vogël.
Ai shprehi dyshimet e tij në lidhje me faktin se pse babai e çoi vajzën në një plazh larg nga vendi ku drekuan.
Sipas dëshmisë së peshkatarit, babai i shqiptares ka dashur të shkojë me vajzën në një vend që nuk ka shumë njerëz, pasi restoranti që drekuan ishte plot me njerëz.
Peshkatari që gjeti 6-vjeçaren shqiptare
Ndër të tjera peshkatari shprehet i habitur për faktin se babai i Amelias e la vajzën të luftonte me vdekjen në det, ndërsa vetë doli me varkën, shkoi në shtëpi për të karikuar telefonin, pasi nuk kishte bateri dhe më pas telefonoi ambulancën për të kërkuar ndihmë për vajzën që e kishte lënë në mes të detit, raporton abcnews.al.
“Nuk mund ta kuptoj se si një prind që e di se fëmija ka ngrënë, mund ta çojë më pas në det për banjë. Nuk mund ta pranoj që ndërsa po hanin në një tavernë në Isthmia, ku kishte kaq shumë njerëz përreth, ai vendosi të bënte 6-7 kilometra me makinë dhe të shkonte në një plazh të largët që në atë kohë ishte i shkretë. Plazhet e tjera që ishin më afër vendit ku po hanin, kishin njerëz që mund të kishin ndihmuar për të shpëtuar fëmijën”, tha peshkatari, ndërsa siç theksoi, e gjeti fëmijën “blu” pa mundur të llogarisë se sa kohë kishte kaluar nga momenti që 6-vjeçarja kishte rënë në ujë.
“Nuk mund ta di sa kohë mund të ketë qenë fëmija në ujë. Mund të ketë qenë për 20 minuta, ose deri një orë. Unë nuk mund ta them këtë vetë. Por kur e nxora fëmijën në sipërfaqe, fëmija ishte blu dhe padyshim i vdekur, gjë që më vonë u përcaktua edhe nga mjekët. Sa për mua, ajo që nuk mund t’i shpjegoj vetes është se si një baba e la fëmijën e tij në ujë, iku dhe shkoi të karikonte celularin për të telefonuar dhe për të kërkuar ndihmë. Pra ai nuk mund të zhytej në ujë dhe ta nxirrte fëmijën nga atje?”, tha peshkatari.
Për sa i përket rrobave që kishte veshur Amelia dhe babai i saj, peshkatari thotë se 6-vjeçarja ishte veshur me rroba dhe sandale, ndërsa thotë se jeleku shpëtues i kishte dalë, pasi nuk ishte vendosur mirë. Ndërsa rrobat e babait kur u kthye nga shtëpia ishin të thata.
“Si ka mundësi? Ai ka ndërruar rrobat e tij në shtëpi teksa e bija mbytej?”, është shprehur peshkatari, raporton abcnews.al.
Momenti tragjik kur gjeti të vdekur 6-vjeçaren.
Peshkatari ka folur gjithashtu për momentet tronditëse kur gjeti të vdekur vajzën 6-vjeçare
“Ujërat ishin të turbullta për shkak të motit, kishte dallgë. Distanca që isha nën varkë ishte 1-2 metra. Po notoja poshtë dhe shikoja lart krahët dhe këmbët e vajzës. Jo, nuk mund të jetë e vërteta po mendoja, është imagjinata ime. Afrohem edhe me shumë dhe shoh vajzën e vogël. Menjëherë dola në sipërfaqe dhe thirra gruan time që ishte në bregdet, i thashë të telefononte policinë dhe rojet shpëtuese. E kapa prej krahësh vajzën dhe e nxora në bregdet. Kur e nxora në bregdet fëmija filloi të nxjerrë ujë dhe shkumë nga goja. Villte ushqim, dukej që kishte ngrenë më parë”, tha peshkatari.
Babai i Amelias u la i lirë me kushte kufizuese, pasi u arrestua nga policia greke. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale ekspozim i të miturit në rrezik, ndërsa të shumta janë dyshimet për veprimtari kriminale. Sipas Stavros Balaskas, ekspert i kriminalistikës të gjitha skenarët për mbytjen e 6-vjeçares janë të mundura, ndërsa nuk përjashton pistën që babai ta ketë mbytur qëllimisht të bijën 6-vjeçare. Megjithatë ai thekson se të gjitha pistat mbeten në fushën e dyshimeve dhe se deri më tani nuk ka asnjë fakt apo provë konkrete.
Si ka ndodhur ngjarja sipas babait të Amelias
Gjithçka nisi mesditën e 23 gushtit kur babai shqiptar, i divorcuar nga gruaja , mori Amelian për të dalë për të ngrënë në një restorant buzë detit.
Për shkak se moti ishte i paqëndrueshëm dhe i ftohtë, ata nuk do të laheshin në det dhe për këtë arsye nuk morën rroba banje me vete. Pasi kanë ngrënë, sipas dëshmitarët okularë Amelia kërkoi nga i ati që të shkonin te varka që ishte ne det, raporton abcnews.al.
I ati i tha se nuk kishin rroba banje me vete, por Amelia këmbënguli dhe kështu ai pranoi të shkonte te varka me të bijën. Distanca e varkës nga deti ishte rreth 25-30 metra dhe thellësia e ujit 5-6 metra.
Deti ishte i trazuar për shkak të motit të keq. Babai mori një jelek shpëtimi, ia vuri vajzës së tij dhe siç ishin të veshur me rrobat u drejtuan për te varka. Babai nuk kishte me vete telefonin apo sende të tjera. Siç u tha babai rojeve bregdetare, kur ata iu afruan varkës, ai u përpoq të ngrinte në krah Amelian për ta futur në varkë , por ajo rrëshqiti.
Sipas tij pasi rrëshqiti, të miturës i doli jeleku dhe për pasojë 6-vjeçarja përfundoi poshtë varkës.
Ajo që ngre dyshime është fakti që babai nuk bëri asgjë për të shpëtuar të bijën e tij. Ai ka thënë se nuk u zhyt për ta shpëtuar sepse kishte astmë, dhe se nuk mund ta mbante frymën në ujë, raporton abcnews.al.
Pyetja e madhe që mbetet është se pse babai i Amelias nuk bëri asgjë në 3-4 minutat që vogëlushja po luftonte me vdekjen. Për këtë arsye kanë nisur hetimet për babanë e Amelias, pasi ai akuzohet se ka ekspozuar në rrezik të miturën. Ai u arrestua nga policia greke, ndërsa dje u la i lirë me kushte kufizuese.