Rendi i ri botëror
Organizimi ndërkombëtar është praktikë relativisht e re e funksionimit të shoqërive në rruzullin tokësor. Edhe si praktikë, edhe si ide e definuar, ai paraqitet relativisht vonë në histori. Edhe pse forma të ndryshme të organizimit më të gjërë të disa shoqërive (shtete) në bashkime të përkohshme hasim edhe te civilizimet e vjetra, megjithatë ky nuk është thelbi i këtij fenomeni në kuptimin bashkëkohor të fjalës
Megjithatë, zhvillimi i kapitalizmit edhe në kohën e re fuqishëm e imponoi varshmërinë e ndërsjelltë në botë. Kjo gjendje i dha procesit të interaksionit përmasa regjionale dhe ndërkombëtare, përkundër tendencave të vjetra autokratike. Shtetet detyrimisht u orientuan drejt bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe zgjidhje të përbashkëta të problemeve të regjionit dhe bashkësisë së gjërë ndërkombëtare. Kjo nevojë dhe praktikë e aktualizoi pyetjen për mënyrat, mjetet dhe format nëpërmjet së cilave mund t’u përgjigjen sfidave të reja të jetës së ndërsjelltë në hapësirat e gjëra të skenës botërore dhe kreacionit të njeriut. Përgjigje e kësaj ishin manifestacionet e para të organizimit ndërkombëtar në të gjitha sferat e praktikës shoqërore. Këto përpjekje të para më vonë do të ngrihen në nivel të fenomeneve të rregullta dhe të njohura në realizimin e proceseve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të njohura si organizata ndërkombëtare.
Organizatat ndërkombëtare sot janë mekanizma të domosdoshëm të realizimit të jetës ndërkombëtare në të gjitha aspektet e saj, si në nivel regjional ashtu edhe botëror. Funksionimi i tyre tregoi se bota me to ka instrumente për zgjidhjen e problemeve më suptile dhe më të ndërlikuara regjionale dhe subregjionale apo botërore.
Gjatë të menduarit për planet e paqes, Emanuel Kanti jep një kategori e cila buron nga shprehitë e ndërlikuara njerëzore dhe që përfshin egoizmin dhe dëshirën për të fituar, por edhe mençurinë (arsyen). Arsyja imponon disiplinë të cilën ana egoiste e natyrës njerëzore e mban në baraspeshë. Njeriu është i gatshëm të heqë dorë nga anarkia politike, anarkia e rendit botëror në favor të pranimit të rendit dhe ligjeve, pikërisht për shkak të ekzistimit të disiplinës e cila e imponon arsyen, e cila ka një hirarki në rendin botëror. Kështu edhe shtetet gradualisht do të përparojnë nga anarkia drejt rendit ndërkombëtar kur arsyja do t’a imponojë përfundimin se çmimi i luftës është shumë i lartë dhe i papranueshëm. Është më pak e mundshme që sunduesit despotikë t’a kenë afirmuar paqen (dhe për fat të keq këta despot po prishin kët rend shoqëror). Elementet themelore të planit të Kant-it e përfshijnë ekzistimin e federatave, organizatave (rajonale, regjionale, subregjionale, universale) të hapura për anëtarësim vullnetar të çdo shteti.
Zhvillimet e fundit, Rusi- Ukrainë- NATO- perëndim po tregojnë dhe hapjen e një rendi të ri botëror. Ky rend do të orientoj botën midis tri parimeve thelbësore dhe atë: midis zhvillimit kulturor- civilizimit, ideologjisë dhe strategjive gjeopolitike- ekonomike. Këto ndarje po rithemelojnë edhe njëherë atë hendekun e madh midis botës së civilizuar me një demokraci të zhvilluar ku arsyja është balancimi i stabiliteti dhe paqes (Evropa dhe aleatët e saja) dhe asaj jo të civilizuar ku me egoizmin despotik krijojnë destabilitetin, krijojnë konfliktet dhe luftrat botërore (Rusi dhe aleatët e saj). Pra, kur jemi tek ndarja perëndim- lindje, këta(perëndimi) do të afrohen me vendet që kanë një civilizim më të zhvilluar me një strategji të përbashkët politike dhe ekonomike por gjithmonë duke ruajtuar arsyen si veprim i ruatjes dhe balansimit të paqes botërore. Rrjedhja e luftës në Ukrainë, de fakto Rusia synon një ndarje të Ukrainës midis lindjes dhe perëndimit, pra një Ukrainë në pjesën lindore dhe një Ukrainë në pjesën perëndimore. Sigurisht që me këtë ndarje humbës është Ukraina e cila do të ketë një tkurrje jo vetëm territorialisht por edhe ekonomikisht duke iu marrë apo uzurpuar të gjitha burimet natyrore.
Arsyeja Kantiane e perëndimit për tiu shmangur një Lufte të tretë botërore, pra për ta shpëtuar njerëzimin, po orientohet më tepër kah arsyeja duke gjetur balansen e paqes, pra kah sanksionet ekonomike dhe politike. Përdorimi i forcës nuk është rruga më e mirë dhe se përdorimi i një forcë më të zbutur është rruga më e prefuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Këto sanksione e bëjnë një ballafaqim militar shum larg pothuajse jo të realizueshëm(direkt) dhe këtë egoizëm despotik rus më të zbehur dhe më pak të realizuar. Falë këtyre sanksioneve dhe fal unitetit perëndimor dhe botës së zhvilluar, detyrojnë që palët të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje ku humbës padyshim që do të jetë Ukraina e ndarë midis dy poleve, pra polit perëndimor të botës së zhvilluar- arsyes dhe polit lindor të një bote jo të zhvilluar me një egoizëm dhe me kërcenime për shkatërrim dhe luftë.
Shpendim Oxha