Baton Berisha, 36-vjeçar, dyshohet se i dha fund jetës së tij, sot në fshatin Sferrkë e Thatë të Pejës, raporton Gazeta Sinjali.
Ai ishte larguar dje nga shtëpia dhe familjarët e tij e raportuan të zhdukur në polici. Sot, rreth orës 13:00, ata e gjetën 36-vjeçarin pa shenja jete në një fushë të këtij fshati, me një vrimë në kokë, që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit.
Një burim i afërt me viktimën i ka thënë Sinjalit se arsyeja se pse Batoni ka kryer vetëvrasje është për shkak të presionit që e ka pasur nga fajdexhitë.
Ai thotë se Batoni kishte marrë fillimisht 8 mijë euro borxh nga disa fajdexhi të Deçanit dhe tani borxhi ndaj tyre kishte arritur në 100 mijë euro.
Për këtë, ky sinjalizues thotë se fajdexhitë kanë shkuar te shtëpia e Batonit dhe e kanë kërcënuar atë dhe familjen e tij, duke tentuar që t’i largojnë nga shtëpia dhe t’ua marrin atë në këmbim të borxhit.
Ditën kur fajdexhitë i shkuan 36-vjeçarit në shtëpi, ai thotë se ua kanë prezantuar familjarëve një listë të borxheve, që kanë arritur shumën e 100 mijë eurove.
Kërcënimet ndaj Batonit ishin aq serioze, saqë i afërmi i tij thotë se ai ka dalë nga shtëpia dhe ka shkuar në truallin e një dhëndri të tij në fshatin Sferkë e Thatë dhe aty dyshohet se ka qëlluar veten me armë zjarri në kokë.