VOX Struga: Çfarë ju shtyu ju personalisht për të kandiduar për Kryetar të Komunës së Strugës?
Idri Istrefi: Së pari ju falënderoj për mundësinë që më jepni për të shprehur qëndrimet dhe vlerësimet e mia. Roli i mediave është shumë i rëndësishëm në një shoqëri si kjo e jona, me shumë problematika. Sa i përket kandidaturës sime, unë kam vite të gjata në terren, aty ku ndodh halli dhe aty ku duhet zgjidhja. Me këtë dua të them që personalja ime ka kohë që është lidhur ngushtë me publiken. Kam qëndruar larg tavolinave mediatike, kam dashur dhe kam punuar atje ku ka pasur nevojë, pa prezencën e kamerave. Nuk ka motiv më të madh për kandidim kur je dëshmitar i familjeve që qeshin një muaj në vit, kur ju kthehen fëmijët dhe qajnë 11 muajt e tjerë. Nuk ka shtysë më të madhe kur shikon që dikush të pasurohet brenda natës e të gjithë ata që e rrethojnë të jenë të varfër. Nuk ka motiv më të fortë për të marrë këtë përgjegjësi, kur ti shikon një qytet të jashtëzakonshëm si Struga të boshatiset brenda një dite kur mbaron vera dhe ikin mërgimtarët. Është politizuar çdo gjë, deri te pranimi i fëmijve në çerdhe. Këtu nëse fëmija nuk është me partinë e duhur ka raste që ka mbetur jashtë, pa u regjistruar. I kanë kapur peng njerëzit me punësimet, a thua se nuk ka qënë aftësia dhe drejta e tyre të punësohen, por merita e partisë! Unë jam i bindur se ka ardhur koha që Struga të frymojë ndryshe dhe t’u rikthehet qytetarëve. Ka ardhur koha që t’i thuhet STOP keqqeverisjes, vjedhjes, manipulimit, shantazhit, korrupsionit, uzurpimit dhe mbi të gjitha tjetërsimit të identitetit të Strugës si një qytet i arsimit dhe kulturës.
VOX Struga: A mund të na tregoni si e mendoni Јu postin e kryetarit të një komune?
Idri Istrefi: Ne fatmirësisht kemi një kuptim ekipor të punës. Nuk mendoj se do të mund të bëja i vetëm shumë nga ato çka dua. I vetëm mund të ndryshoj me votë pushtetin, këtë po, por ama vetëm kaq. Komuna është detyrë serioze e komplekse dhe ndaj pa skuadrën time është e pamundur që të punoj.
Në komunë do të fus mentalitetin e shërbërorit të popullit që në fakt një kryetar Komune duhet të jetë. Komuna duhet të jetë ndihmë për qytetarin e jo ta zvarrisë me muaj e vite për dokumenta që i ka për detyrë ajo t’i bëjë! Komuna është për t’ia lehtësuar jetën qytetarit të saj e jo për t’ia komplikuar. Ka një keqkuptim aq të madh të kësaj pune! Të shpallesh kryetar është interpretuar si një lloj biznesi fitimprurës se në fakt kështu ka qënë. Nuk kanë drejtuar, por kanë mbretëruar. Tani është momenti që të vijë e drejta në vend. Drejtimi i Komunës është punë që ta beson populli, është privilegj se të tregojnë që të besojnë, por është përgjegjësi e madhe se duhet të bësh mirë punën që ke marrë përsipër. Mjafton të futet sensi i punës së ndershme, i gëzimit që ta bëjmë Strugën, i komunës normale dhe jo asaj mafioze dhe ky qytet do të lulëzojë përsëri.
VOX Struga: Si e shikoni bashkëpunimin me VMRO-në që do të keni në këto zgjedhje?
Idri Istrefi: Si një forcë të shtuar. Jemi parti që në thelb duam mirëqënien e njerëzëve dhe zhvillimin e hapësirës ku jetojmë. Historia flet për pika të errëta, por është detyrë e secilit nga ne që të shkruajë pika të ndritura në faqet e saj. Unë personalisht besoj në maksimën se nuk ka popuj të mirë apo të këqij, ka njerëz të tillë. Çdo etni që jeton në Strugë e do qytetin njësoj ta shohë mire, të zhvilluar e të sigurtë. Nëse i pyet se ku jeton, ata të gjithë do të përgjigjeshin: “Në Strugë”. Struga është pika e bashkimit, e mbështetjes dhe e rifillimit të madh!
VOX Struga: A keni ndonjë mesazh për të gjithë ata që do e lexojnë këtë intervistë?
Idri Istrefi: Po. Së pari dua të ngushëlloj të gjitha familjet që kanë humbur njerëzit e tyre në spitalin e Tetovës. Na dhemb shpirti për këtë ngjarje dhe është detyra jonë që jemi ende gjallë të kërkojmë DREJTËSI për ta!
Së dyti, dua t’ju them të gjithëve se vërtet Struga ka rënë në depresionin e skamjes dhe abuzimit, por struganët kanë vendosur se pa dallim gjuhe, feje, zakonesh e tradite, nga fshati, qyteti e deri në kontinetin më të largët ku jetojnë, në 17 Tetor të vijnë këtu për të rilindur Strugën se Struga Janë Ata. Sepse ne do të fitojmë dhe Strugën do t’ua rikthejmë struganëve.
Dhe së fundmi, dua të siguroj çdo qytetar të Strugës se do të jem kryetar i të gjithëve, si brenda ashtu edhe jashtë objektit të komunës, në vijën e verdhë të qytetit dhe në fshatin më të skajshëm të tij. Do të jem garantues i çdo të drejte që struganëve u takon në raport me pushtetin lokal.