Shkruan Prof. Xhemi Hajredini
Studimi i toponimisë, një fushë aspak e lehtë. Që t’i emërtosh vendet, qytetet, fshatrat, lumenjtë, malet, luginat etj., duhet ta njohësh aspektin historik, argumentet e popullatës vendëse, të folmet e vendbanimeve dhe sigurisht njohjen dhe zbatimin e rregullave të drejtshkrimit të shqipes standarde. Sadoqë dikujt mund t’i duken rregullat shumë të ngurta por pa rregulla situata mund të koklavitet edhe më shumë.
Çështjen e emërtimeve të vendbanimeve në rrethin e Strugës e kemi biseduar këto ditë me disa miq që merren me shkrime e që herë-herë tregohen të lëkundur dhe të pavendosur nëse një emër vendi shkruhet në këtë trajtë apo në një trajtë tjetër. Është kjo trajta e rregullt për këtë emër katundi apo jo?!
Nuk dua të tregohem guximmadh dhe të trajtojë gjithçka, me të gjitha hollësirat. Po marr në shqyrtim vetëm emërtimet e vendbanimeve të qytetit të Strugës. Si duhet t’i shqiptojmë dhe t’i shkruajmë ato?
Fjala “strugë” sipas fjalorit të gjuhës shqipe do të thotë mbulesë e leshtë që hidhej krahëve si rrobë ose që përdorej si shtrojë. Shpjegimi tjetër e përshkruan si vend me ujë; vend i ulët, si gropë, që mban ujë edhe gjatë verës, vijë uji. Në shkrime të ndryshme e kemi hasur se emërtimi strugë vjen nga fjala shtrungë, shteg i ngushtë afër derës së vathës ku kalojnë dhentë a dhitë kur i mjelim; vend i rrethuar brenda vathës për bagëtitë që do të milen; vathë, i futi dhentë në shtrungë. Shtrungë (shtrunga) është gjithashtu shteg për të kthyer ujin në arë, vedër, mjelcë. Sa e bukur fjala mjelcë, enë ku mjelim bagëtinë.
Por sipas disa miqëve që etimologjinë e fjalës e kanë pasion, thuhet se fjala strugë vjen nga “STRUG”, G:K jep “STRUK”. “STRUK” është një qytetërim i hershëm i mbledhur brenda mureve. Në rastin konkret bëhet fjalë për një vendbanim të rrafshët, në breg të lumit e liqenit. Vendbanim i strukt/strukët – vendbanim i mbledhur.
Le të fillojmë me emërtimet e vendbanimeve sipas rregullave të drejtshkrimit:
- Strugë – emër i gjinisë femërore, në trajtën e shquar Struga. Banorët e qytetit të Strugës quhen: strugan,ë; strugane. Psh. Unë jam strugan. Ju strugane jeni? Po, të gjithë struganë jemi.
(Struga – Foto nga Amer Demishi)
- Vreshtat – lagje e qytetit të Strugës. Siç e dimë fjala vresht është e gjinisë mashkullore, vresht,i por në shumës bën vreshta(t). Emërtimi i është vënë nga banorët e lagjes dhe qytetit pasi që më parë ky vend ka qenë i mbushur plot me vreshta. Pra fjala vresht është emër i dygjinishëm, në njëjës emër i gjinisë mashkullore e në shumës gj. femërore, vreshta (t). Vresht,i; vreshtar,e, vreshtarë, vreshta,t.
- Ladorisht– emër i gjinisë mashkullore, në trajtën e shquar Ladorishti. Banorët e këtij fshati quhen ladorishtar, ladorishtare (ladorishtarë).
- Labunisht – Labunishti (m.)
Emërtimin e saktë për Labunishtin o nuk duan ta mësojnë o ashtu u do qejfi. Është emër i gjinisë mashkullore dhe në trajtën e shquar bën Labunishti. Toponimet janë përmendore të kujtesës njerzore. Baza e fjalës/emrit Labunisht është lab,i. (m.) Pse, qysh, tek në ndonjë rast tjetër. Vendësit quhen labunishtarë (labunishtar, e). Jo Llabunishta, Llabunishtës po Labunisht, Labunishtit, nga Labunishti etj. Ashtu sikur toponimi Ladorisht,i.
- Veleshtë– emër i gjinisë femërore, në trajtën e shquar Veleshta.Veleshtar, veleshtare, veleshtarë.
- Ermëz,i është emërtimi i vjetër i fshatit Mali Vllaj. Mali Vllaj – Mali Vllaji. Si Ermëzi ashtu edhe Mali Vllaji janë emra të gjinisë mashkullore.
- Teferiç– gj. mashkullore, në trajtën e shquar Teferiçi. Fshat apo lagje e Strugës.
- Një fshat i moçëm i Strugës ështëToska. Aktualisht pa banorë. Toponimi Toska është emërtim nga trajta e pashquar Tosk. Tosk/ë, a.
- Fierishtë(vend me fier) – emër i gjinisë femërore, trajta e shquar Fierishta. Fierishta ndodhet mes Ladorishtit dhe Frëngovës.
- Frëngovë, emër i gjinisë femërore, në trajtën e shquar Frëngova. Frëngovar,e. Frëngovarët janë punëtorë të vyer.
Le t’i përmendim shkurt, disa vendbanime më të vogla, në trajtën e pashquar dhe të shquar.
- Pohum– Pohumi (m.)
- Drenok– Drenoku (m.)
- Lukovë– Lukova (f.)
- Modriç– Modriçi (m.) Fshat pa banorë.
- Shum– Shumi (m.)
- Zagraçan– Zagraçani (m.)
Për më shumë rreth vendbanimeve Shum dhe Zagraçan, etimologjisë së emrave të këtzre dy vendbanimeve të Komunës së Strugës, lexoni veprën e Islam Baftiarit.
- Jablanicë– Jablanica (f.)
- Bezovë– Bezova (f.)
- Bixhovë– Bixhova (f.)
- Bogovicë– Bogovica (f.) Bogovica është një fshat malor.
- Borovec– Boroveci (m,)
- Bërçevë– Bërçeva (f.)
- Vishnjë– Vishnja (f.) Fshati Vishnjë… Vishnja është një fshat…
- Piskupshtinë– Piskupshtina (f.)
- Nerez– Nerezi (m.)
- Lakavicë –Lakavica (f.) Fshat pa banorë.
- Vranisht– Vranishti (f.) Në version zyrtar është Vranishtë, a.
- Draslajcë– Draslajca (f.)
- Zbazhd– Zbazhdi (m.)
- Kalisht – Kalishti (m.) Është emër i gjinisë mashkullore, ashtu sikur Bilisht, Bilishti. Kalisht, kalishtar,e. Në të gjitha dokumentet e gjetura deri më tani, emërtimi korrekt i këtij katundi është Kalisht,i.
- Lozhan– Lozhani (m.)
- Misleshovë– Misleshova (f.)
- Morovishtë/Moroishtë – Morivishta (f.) Siç e shikoni emërtimi i këtij vendbanimi është i dyllojshëm dhe na shfaqet në të dyja trajtat si Mosrovishtë ashtu edhe Moroishtë. Për mendimin tim duhet të mbetet vetëm versioni i parë Morovishtë – Morovishta.
- Selcë– Selca (f.)
- Burinec– Burineci (m.)
- Tashmarunishtë– Tashmarunishta (f.)
- Prisovjan– Prisovjani (m.)
- Globoçicë– Globoçica (f.)
- Radozhdë– Radozhda (f.)
- Dobovjan– Dobovjani (m.)
- Oktis– Oktisi (m.)
- Novoselë– Novosela (f.) Popullsia vendëse e shqipton Novosellë,a.
- Zhepin– Zhepin (m.)
- Tatesh, i (m.)Në rrethin e Strugës kemi dy vendbanime me emrin Tatesh. Njëri është Tatesh i Epërm(m.) e tjetri Tatesh i Poshtëm(m.). Vendësit e të dy vendbanimeve quhen tatesharë (tateshar,e).
- Ngjashëm e kemi edhe rastin me dy vendbanimet të tjera që emrin bazë e kanëBelicë, a (f.). Belica e Poshtme(f.) dhe Belica e Epërme(f.). Belicarët janë të përzier, toskë e gegë si kokrrat në një shegë.
- Dollogozhdë– Dollogozhda (f.)
- Koroshisht– Koroshishti (m.) E di se tek emërtimi i këtij fshati do të ketë hamendje, ashtu sikur për Kalishtin, Podgorcin, Livadhinë apo edhe për emërtimin e f.Vranisht(i). Për mendimin tim, Koroshisht (i) – është emërvend i gjinisë mashkullore.
- Livadh/i (m.) – Livadhia (f.). Ky toponim duhet të trajtohet më hollësisht. Vendësit i thonë dhe e shkruajnë Livadhi, a. Drejtshkrimi sikur nuk e gjen veten mirë në këtë toponim. Ashtu siç theksova edhe më sipër se aspekti historik luan një rol të rëndësishëm. Duhet të respektohet qëndrimi dhe gjuha e vendësve.
- Mislodezhdë – Mislodezhda (f.) Haset edhe trajta me ll, Misllodezhdë, a. Duhet me l.
- Podgorc – Podgorci (m). Edhe për këtë emërtim do të ketë mospajtim dhe kundërshtim. E mbështesin versionin e dytë, Podgorcë, a (f.). Ndoshta duhet të konsultohen institucionet përkatëse me dokumente historike. Podgorc – Podgorci si Pogradec – Pogradeci.
- Qafë Thanë – Qafë Thana (f.), pika kufitare (doganore) mes Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut, 15 km larg qytetit të Strugës.
Uroj të kem dhënë një ndihmesë për të gjithë ata që shkruajnë, për personat publikë, për mësimdhënësit dhe të gjithë të interesuarit mbi emërtimet korrekte të vendbanimeve të rrethit të Strugës. Sigurisht që jam i hapur për të pranuar sugjerime dhe argumente të tjera që mund të vërtetojnë një version ndryshe nga ç’e kam thënë më sipër.
Le të mos lejojmë që emrat e vendbanimeve, sidomos ato të gurrës së moçme, t’i shkruajmë gabim e aq më shumë të imitojmë të tjerët kur i kemi trajtat tona të drejta.