Në vend të luleve!
Çdo ditë, çdo femër në botë, në formën e saj, bënë diferencën në mjedisin ku jeton.
Secila nga ne, ne jetën e përditshme është hero i vetes. Vendosmëria jonë për të arritur qëllime është po aq femërore sa intuita dhe lidhja emocionale që ne kemi me gjithçka që na rrethon.
Dita Ndërkombëtare e Gruas vjen si një ditë e cila kujton jo vetëm arritjet shoqërore, ekonomike dhe politike të saj, por është gjithashtu një moment për të reflektuar dhe ndërgjegjësuar për zonat në hije që akoma poshtërojnë dhe diskriminojnë popullatën femërore në të gjithë botën.
Flitet jo pak, madje shumë, me vite e vite të tëra për të drejtat, për barazinë gjinore, për integrimin gjinor. Simbolika e kësaj dite që është shndërruar në festë, është në fakt aktualizimi i kërkesave për përmirësimin e statusit tonë në shoqëri dhe padiskutim arritje të barazisë ekonomike, politike e sociale.
Megjithatë, për fat të keq, edhe pse është e vërtetë që janë bërë shumë hapa përpara, sidomos në vendet Perëndimore, është gjithashtu po kaq e vërtetë që rruga drejt barazisë gjinore dhe emancipimit social është ende e gjatë. Nëse duam t’ja arrijmë qëllimit, në këtë rrugëtim ne duhet të jemi një, të ngrejmë zërin bashkë kundër çdo lloj fenomeni që na cënon, diskriminon, pa paragjykuar njëra tjetrën, pa i kthyer shpinën njëra tjetrës, por duke luftuar fort dhe duke përkrahur njëra tjetrën në çdo iniciativë të ndërmarrë!
Mirënjohje pafund për të gjitha zonjat e zonjushat të cilat arrijnë t’ja dalin mbanë edhe në ditët më të vështira, për ato që dështimin e kthejnë në një hap drejt suksesit, për ato që nuk harrojnë kurrë përkushtimin ndaj familjes dhe shoqërisë, edukojnë breza të tërë, caktojnë qëllimet e tyre në jetë, ia kanë dal mbanë dhe me kokën lart vazhdojnë përpara!
Ne jemi vetë jeta!
Premtime Zylali Deliaj
Profesoreshë e gjuhës Angleze
Kryetare e Asamblesë së Femrës të ASH – dega Strugë