Që në fillim të vitit, rezervimi i dasmave ka marr hov të madh për sezonin veror. Nëpër restorantet më të mëdha, muaji korrik dhe gusht është i mbushur tërësisht. Pa dashur të flasin para kamerave, pronarët e restoranteve thonë se dasmat që u anuluan vitin e kaluar për shkak të Pandemisë, kanë siguruar terminë në muajt e pranverës. Por, një problem i madh është se ende nuk dihet nëse mund të organizohen këto ahengje familjare. Nga Sektori Hotelerisë në Ministrinë e Ekonomisë thonë se janë në përpilim e sipër të një protokolli, që 133 sallat e dasmave të regjistruara në vend, të mund të punojnë në kushte optimale gjatë sezonit.
Në bazë të sektorit privat, varësisht prej kapacitetit të restoranteve mund të organizohen edhe dasma të mëdha, por edhe dasma me numër më të vogël të mysafirëve. Në protokoll mund të parashihen 4 persona në një tavolinë, me 2m distancë. Kemi restorante shumë të mëdha që mund të pranojnë 500 mysafirë pa i shkelur protokollet- deklaroi Bekim Haxhiu, Sektori i Hotelerisë dhe Turizmit.
Por fjalën e fundit e kanë autoritetet shëndetësore, të cilët do të vendosin duke u bazuar në situatën epidemiologjike. Nga Oda e Gastronomëve kërkojnë që protokollet për organizimin e manifestimeve në ambiente të mbyllura të bëhen sa më shpejtë. Kreu i kësaj Ode tha se për dasma pranojnë që të punojnë me gjysmën e mysafirëve dhe orar të reduktuar.
Kjo që për momentin është urgjencë e domosdoshme të dinë qytetarët që janë të interesuar të bëjnë manifestime, në çfarë mënyre dhe si do ti zbatojnë të njëjta. Dasma, ditëlindje apo ahengje të tjera, në çdo rast duhet patjetër tu ulemi në një tryezë të përbashkët ose Komisioni për sëmundje infektive dhe ne jemi të gatshëm për të kontribuar në sjelljen e protokolleve tani menjëherë, që të mund gjatë sezonit mos të kemi keqkuptime- pohoi Martin Angellovski, Kryetar i Odës së Gastronomeve.
Sipas praktikave të vendeve Evropiane, në një hapësirë të mbyllur mund të ketë 1 dasmor në 4m2. Kjo do të thotë që nëse një restorant ka kapacitet për 100 persona, për dasma mund të mblidhen vetëm 50. Muzika “live” dhe hedhja e valleve janë pika të tjera që pritet të shqyrtohen. Sipas Odës së gastronomeve, në këtë sektor pronarët e sallave të dasmave janë ndër më të prekurit pasi që nuk kanë punuar fare për një vit të plotë. Dëmet vlerësohen të jenë miliona euro edhe në bizneset zinxhir që kanë lidhshmëri me organizimin e dasmave.
Përgatiti: Adnan Qaili