Me uljen e numrit të të shtruarve nëpër spitalet e vendit nga virusi korona kanë filluar të kthehen në normalitet edhe klinikat interne. Klinika e ORL-së dhe e ajo Oftamologjisë javës që po lëmë pas rinisën të funksionojnë për pranimin e pacientëve të rregullt. Funksionimi normal ka shtuar fluksin e pacientëve para dyerve të klinikave.
“Përderisa Klinika e ORL-së dhe ajo e syve po i kthehet normalitetit ku më parë ishin kovid qendra, tani pacientët, të cilët kanë pritur për muaj të tërë për një trajtim spitalor, iu kanë drejtuar këtyre klinikave ku po shihet edhe ambulanca për raste urgjente.”
Qytetarët ankohen se gjatë kohës kur klinikat për sëmundje të syve, veshëve, hundës dhe fytit nuk ka pranuar pacientët, gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar.
“E solla gruan se ka një skuqje në sy, por duhej të ishte në kontrolle që nga shatori i vitit të kaluar. Kishte udhëzim që ende mbet i papërdorur, ju paraqitemi në telefon na thonë se do ju marrim kur të qetësohet situata me pandeminë. Dhe ja pritëm!”.
Zv/ministri i Shëndetësisë Ilir Hasani tha se këto klinika kanë funksionuar vetëm për raste urgjente gjatë kohës që ishin të shtrirë pacientë të sëmurë nga Codiv-19.
Do të mundohemi që në këtë periudhë ta menaxhojmë me një ritëm sa më të shpejtë për pacientët të cilët në kohën që lamë pas e kanë humbur dhe shpresojmë se do të ja dalim deri në fund që të mos kemi lista të gjata të pritjeve për intervenime kirurgjikale në këto dy klinika. Gjithashtu edhe nëpër klinikat tjera që kanë qenë të destinuara si kovid qendra për trajtimin e pacientëve që janë pozitiv – tha Ilir Hasani, Zëvendësministër i Shëndetësisë.
Gjatë valës së vjeshtës me rritjen enorme të të infektuarve, rreziku për shtimin e rasteve për kurim spitalor bëri që edhe disa klinika interne të shndërrohen në reparte infektive të pranimit të pacientëve me simptome më të rënda nga virusi korona. Kjo erdhi si pasojë e dështimit të ndërtimit në kohë të spitaleve modulare nëpër 16 komunat e vendit. Tani disa prej tyre janë montuar nëpër oborret e disa qyteteve më mëdha. Kur ka rënë numri i të hospitalizuarve nën 5% nga rastet aktive, nuk ka më nevojë për përdorimin e tyre.
Adnan Qaili