Monday, November 25, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeRajoniMasakra e Tivarit, si i vrau Hoxha 4 mijë djem e burra...

Masakra e Tivarit, si i vrau Hoxha 4 mijë djem e burra të Kosovës

Sot mbushen 74 vjet nga Masakra e Tivarit, ku u vranë dhe u varrosën masivisht disa mijëra djem të Kosovës. Tragjedia e fshehur për shumë dekada nga qeveritë komuniste të Tiranës dhe Beogradit është zbardhur e plotë në një studim të historianit Uran Butka.

Ai thotë se në këtë udhëtim tragjik u nisën 13 mijë e 335 shqiptarë, të shpallur si robër lufte nga komunistët. Gjatë rrugës nga Prizreni dhe deri në mbrëmjen e 31 marsit në Tivar u vranë 3 mijë e 447 burra e djem të Kosovës, ndërsa rreth 600 vetë të tjerë u zhdukën, duke e ngritur numrin e viktimave gjithsej në rreth 4 mijë persona.

Këtë fund marsi është 74-vjetori i masakrës së Tivarit, ku partizanët komunistë të Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi vranë masivisht disa mijëra mijëra djem të rinj shqiptarë të Kosovës.
Tragjedia e realizuar me marrëveshje të shkruar midis udhëheqësve komunistë në Tiranë dhe Beograd u mbajt e fshehtë për dekada të tëra.

Historiani Uran Butka botoi studimin 25-vjeçar “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” me dokumenta të shumta arkivore nga disa shtete të rajonit.
“Masakra e Tivarit është një ploje e përgjakshme dhe e pashembullt. Ajo u realizua nga shteti komunist jugosllav në bashkëpunim të plotë me shtetin komunist shqiptar të Enver Hoxhës. Qëllimi i kësaj masakre ishte për të zhdukur dhe shpërngulur shqiptarët nga Kosova, pra, për një spastrim të plotë etnik”, thotë zoti Butka.

Masakra ishte një spastrim i mirëfilltë i popullit të Kosovës, të cilin ushtria jugosllave e arriti me duart e ushtrisë komuniste të Shqipërisë.
Rinia e Kosovës u thirr në një mobilizim ushtarak për të luftuar pushtuesit nazistë, por pasi u mblodhën në Prizren nga të gjitha anët e vendit, u çarmatosën dhe u nisën në kolona drejt Kukësit, Shkodrës dhe i nxorën në Tivar, ku u vranë masivisht me mitralozët e malazezëve me 31 mars 1945.

“Ky libër imi është edhe një homazh, sepse këtu janë edhe të gjitha listat e atyre viktimave të pafajshëm, që u vranë padrejtësisht, nga të gjithë trevat e Kosovës, bujq, blegtorë, ushtarë të Shaban Polluzhës, ushtarë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare nga Kosova dhe nga Shqipëria dhe që u nisën në këtë kalvar vdekjeje.

Karvani i të rinjve kosovarë eci për një javë në kushte çnjerëzore dhe nën tytat e armëve të komunistëve shqiptarë dhe serbë, madje shumë prej tyre u vranë në çdo pikë të këtij itinerari tragjik, kur nuk i lejonin as të pinin ujë në burime as të futnin ushqim në gojë.

Libri përmban edhe listën e plotë të martirëve të kësaj masakre, familjet e të cilëve edhe më pas u persekutuan rëndë në shtetet komuniste në dy anët e kufirit.
Midis autorëve të kësaj masakre ishte edhe ministri i brendshëm Haxhi Lleshi, i cili firmosi përkrah me homologun serb Rankoviç dhe e mbrojti veprimin e tij derisa qe gjallë si “një vendim i duhur ndaj reaksionarëve”, thotë autori.

“Kolona e parë u nis më 24 mars nga Prizreni dhe kolonat e tjera më 26 dhe 27 mars dhe 3 kolona të tjera në prill, u nisën për në territorin e Shqipërisë, sipas një marrëveshje midis ministrit të brendshëm serb Rankoviç dhe ministrit të brendshëm të Tiranës Haxhi Lleshi. Ishte një marrëveshje e pashembullt askund në botë, që e implikonte me djallëzi Shqipërinë dhe përfshiu territorin e saj, ku u vranë rrugës shumë prej tyre. Askund në botë nuk ka marrëveshje dyshtetërore për të bashkëpunuar në vrasjen masive të mijëra djemve prej bashkëkombasve të tyre”, tha studiuesi Uran Butka.

Ai shtoi se tragjedi të tilla tregojnë fytyrën e vërtetë të regjimit komunist, që u ngrit mbi pabesinë ndaj të rinjve kosovarë.
“Këtu ndodhi pabesia dhe tradhtia, sepse ata, pasi u mblodhën nga të gjithë anët e Kosovës, iu dorëzuan UDB-së dhe Divizionit 52 jugosllav me urdhër sekret të Enver Hoxhës”, citoi ai telegramin e shifruar.

Edhe sot ata nuk nderohen si martirë, edhe një afrim edhe një pajtim i vërtetë mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit mund të kryhet sinqerisht me respektimin e viktimave të asaj tradhtie që kaloi mes për mes Shqipërisë dhe kulmoi në Tivar, ku edhe deti u mbush me plisat e tyre të bardha.

“Po të ishin ndëshkuar kriminelët dhe krimet, ato nuk përsëriten. Dhe është detyrë e shtetit të Kosovës që t’i njohë dhe t’i trajtojë këta si martirë të Kosovës. Po ashtu edhe Shqipëria në shenjë ndjese për atë bashkëpunim kriminal, që u bë nga shteti komunist i Enver Hoxhës, duhe t’i trajtojë ata si martirë të popullit dhe kombit shqiptar”, tha zoti Butka.
Masakra e Tivarit është një nga faqet më të errëta të historisë së Ballkanit dhe të popullit shqiptar. Ndriçimi i saj i plotë, ndriçimi i bashkëpunimit kriminal Tiranë – Beograd kundër rinisë së Kosovës do të nxirrte shumë mësime për të sotmen dhe të ardhmen e rajonit.

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!