Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e djeshme vendosi që të mos ketë orë policore. Në vend të kësaj, qeveri obligoi MPB-në dhe inspektorët të kryejnë kontrolle të përforcuara në zonat me numër më të madh të të infektuarve nga coronavirusi.
Kontroll të përforcuar pritet të ketë në komunat e Shkupit dhe komunat përreth siç janë Haraçinë, Ilindeni, Petroveci dhe Zelenikova ndërsa e njëjta vlen për Kumanovën, Tetovën dhe Shtipit dhe komunat përreth, ku ka numër të madh të të infektuarve me coronavirus, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në këtë drejtim, Qeveria e obligoi MPB-në, Këshillin e Inspektorëve dhe Policinë Financare të përgatisin plane të veçanta të veprimit për kontroll dhe për parandalim të lëshimit të masave për mbrojtje dhe sanksionim të çdo mosrespektimi të masave.
Në pajtim me këto konkludime, propozimi për vendosjen e masave restriktive do të shqyrtohet sërish në Komisionin për Sëmundje Ngjitëse.