Me rastin e mbarimit të vitit shkollor 2019/2020, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi në profilin e tij në Facebook ka uruar nxënësit për suksesin e arritur dhe njohuritë e fituara, duke u uruar atyre pushime të këndshme deri në fillimin e vitit të ri shkollor, me shpresë se do të kthehen nëpër shkolla pas gjendjes me pandeminë Covid-19.
“Të dashur nxënës, kisha dashur që këtë vit shkollor, sikurse vitet e kaluara ta përfundoni në bankat shkollore, të buzëqeshur bashkë me shokët e shoqet tuaja! Por, ja që ndonjëherë gjërat nuk shkojnë siç duam dhe planifikojmë…Pavarësisht se mësimin në bankat shkollore askush më mirë nuk mund ta zëvendësojë, ju shfaqët interes të jashtëzakonshëm dhe përkushtim maksimal për të vazhduar mësimin nga distanca bashkë edhe me ndihmën e prindërve tuaj, dhe unë nuk kam asnjë dyshim se nuk keni ngecur aspak mbrapa me mësime”, ka shkruar mes tjerash Ademi.