27 Prill 2017. Protestë kundër “Platformës së Tiranës”. Për publikun e gjerë, dita e 60-të e protestave, por për një grup më të vogël, një ditë në të cilën nuk duhet të ketë ndryshim të qeverisë me asnjë kusht. Më 27 Prill, nga perspektiva e sotme, u organizua një skenar i përgjakshëm, i përgatitur nga udhëheqja e atëhershme e partisë së VMRO – DPMNE-së, gjë që e zbuloi Prokuroria për Krim të Organizuar. Porositësit janë- Nikolla Gruevski, Trajko Veljanoski, Mile Janakieski, Spiro Ristovski si dhe drejtuesit e DSK-së, drejtori i atëhershëm Vlladimir Atanasovski dhe ai operativ Nikolla Boshkovski. Dëshmitarët e së enjtes së përgjakshme nga tre vjet më parë, janë gjithashtu edhe gazetarë. Trazirat, policët pasiv dhe protestuesit agresivë janë kujtimet e gazetareve Biljana Nikollovska dhe Zorana Spasovska, që raportonin nga Kuvendi.
Nuk e kisha të qartë se çfarë po ndodhte, sepse surpriza më e madhe për mua ishte hapja e dyerve. Herën e parë që hymë në Kuvend dhe i pashë ata njerëz me kapela, e kuptuam se mund të ketë dhunë – deklaroi Biljana Nikolovska, Telma TV.
Për herë të parë më 27 Prill u ndjeva aq e pasigurt dhe si kurrë më parë. Thjesht nuk e dija se nga cila anë ishte policia dhe kë do të mbrojë në atë moment. Me të vërtetë kjo ditë ishte një nga ditët më të vështira për t’u raportuar dhe ishte e frikshme duke pasur parasysh se kishim frikë për jetën tonë dhe jetën e kolegëve tanë -u shpreh Zorana Spasovska, Radio Evropa e Lirë.
Turma e revoltuar nuk i hapi dyert e Kuvendit, por deputeti i VMRO DPMNE-së, Kërsto Mukoski. Brenda hynin qytetarë, por edhe persona të maskuar. Se ku duhet të shkojnë në ndërtesë, instruksione u jepnin deputetët e VMRO DPMNE-së, Sasho Vasilevski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski dhe Luben Arnaudov. Por, deputetët në fjalë nuk u përgjigjën penalisht, shpëtuan me amnisti politike e mbështetur nga pushteti aktual në krye me LSDM-në. Gjithsej 15 persona u amnistuan nga procesi i parë për ngjarjet e 27 prillit.
Ndodhi ngjarje e padëshiruar që duam të gjithë ta harrojmë. Nuk përzihem në vendimet e Kuvendit dhe procesin e amnistisë. Unë më 27 prill nuk kam bërë asgjë. Reaguam si pasojë e emocioneve – tha Luben Arnaudov, deputet.
Për autorët e dhunës së 27 prillit, gjykata shqiptoi 211 vjet burg për 16 persona. Ish drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Mitko Çavkov mori dënimin më të lartë edhe atë 18 vjet burg. Dënime më të vogla morën Abdylfeta Alimi 7 vjet dhe Aleksandar Vasilevski – Ninxha 8 vjet. Në Gjykatën Penale në rrjedhë është edhe procesi për organizatorët e 27 prillit të përgjakshëm, Trajko Veljanoski, Mile Janakieski, Spiro Ristovski dhe Vlladimir Atanasovski. Tani për tani, Nikolla Gruevski dhe Nikolla Boshkovski i shpëtuan ndjekjes penale për 27 Prillin, pasi që janë në arrati.
Bojan Stojanovski