Disa prej teorive konspirative për koronavirusin thonë se ai nuk ka origjinë natyrore dhe nuk është shfaqur për herë të parë në një treg peshku në Wuhan, por është krijuar në një laborator që ndodhet po në atë qytet kinez.
Kina zyrtare ka mohuar lajmet duke treguar se laboratori i specializuar në studimin e viruseve ekziston në Wuhan, por nuk ka asnjë provë që koronavirusi i ri të jetë gjeneruar aty.
Por duket se administrata e Shteteve të Bashkuara vijon të jetë skeptike. Burime nga shërbimet sekrete kanë pohuar për CNN dhe mediat e tjera amerikane se autoritetet po e shikojnë seriozisht mundësinë një skenari laboratorik për koronavirusin.
Edhe pse, sipas burimeve, nuk mendohet që virusi të jetë pjesë e një projekti lufte ku COVID-19 përfaqëson një armë biologjike, siç teorizon një pjesë e komplotistëve, skenari i gabimit njerëzor në laboratorin e Ëuhan po merret në konsideratë, madje po fillohet të hetohet seriozisht.
Hetimet, sipas këtyre burimeve, po përqendrohen më së shumti tek mundësia që një mungesë në protokollin e sigurisë së lartë që ka laboratori i Ëuhanit, mund të ketë patur si pasojë infektimin e një personi, që më pas ka shpërndarë virusin në qytet, dhe nga aty në çdo cep të botës.
“Partia Komuniste kineze nuk i dha akses amerikanëve kur kishim nevojë, në fillim të përhapjes. E dimë të gjithë që virusi ka lindur në Wuhan, dhe se ka një laborator aty. Ka shumë që nuk dimë ende, por duam përgjigje”, deklaroi sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, javën e shuar.
Sakaq, sipas disa dokumenteve të siguruara nga Washington Post, dyshime për sigurinë e Institutit të Virologjisë në Wuhan nga ana e Departamentit të Shtetit kanë filluar që në 2018.