Azgan Haklaj
Anteu i shqiptarizmit- maratonomaku i lirisë, epilog tragjik si eremit në Katakombin e Dragobisë.
Refleksione në 95 -vjetorin e Heroit të Popullit- Bajram Currit.
Sipas Mitologjisë Greke Anteu ishte një gjysëm gjigand, i bëri i Gjeas (nënës tokë) dhe Poseidonit, (Zotit të detit).
Ai jetonte në Libi në Afrikë dhe kushdo që vinte në territorin e tij e detyronte të luftonte me të dhe rendomtë i mundte të gjithë.
Kundërshtari i tij i fundit ishte Herakliu (Herkuli), i cili
e zbuloj fshehtësinë e fuqisë së Anteut.
Anteu kur e ndiente që po dobësohej ngjitej ngurtësisht për tokë dhe i kthehej fuqia përsëri, pra e merrte fuqinë nga nëna tokë.
Herkuli e kuptoj këtë sekret prandaj e çon lart në ajër, kështu që gjigandi i shkëputur e humb fuqinë dhe Herkuli i zën frymën në ajër duke e shtrenguar në fyt dhe e mundë.
Është shkruar shumë për Maratonomakun dhe është përdorur shpesh në vlerësimin e personazheve, figurave të shquara historike që kanë qenë lajmësi i parë i fitores në betejat për liri e çlirim kombëtar, siç ishte Filipidi apo Eukleu që sipas Herodotit, Plutarkut, apo Lukianit ishte ushtari i cili u dha athinianëve lajmin e fitorës së spartanëve mbi përsët.
Ai kishte vrapuar 24 orë, arriti ta sjellë lajmin e fitores dhe ra për tokë i vdekur.
Eremiti është një murg i krishterë që jeton i vetmuar, në kushte të vështira, nëpër shpella dhe ka hequr dorë nga gëzimet e jetës.
E kam të vështië, ndonëse të pamundur të përshkruaj në këtë refleksion kujtesë kontributin gjysëm shekullor për Atdheun e tij të Anteut Shqiptar, Maratonomakut të luftërave për çlirim kombëtar në 95 vjetorin e vrasjes tragjike, si eremit, të Heroit Kombëtar, Bajram Currit me dt 29 mars të vitit 1925, në Shpellën e Dragobisë.
Për afro pesë dekada, nuk ka ngjarje historike, kuvend kombëtar, kryengritje, besëlidhje në emër të Atdheut dhe Flamurit Kuqezi për liri që nuk gjendet si protagonist tribuni popullor, luftëtari i paepur, komandanti e strategu ushtarak i talentuar, Heroi ynë Kombëtar Bajram Curri.
Karroca volteriane në të cilën lindi kanditi ynë, në janar të vitit 1862, në Krushë të madhe, në rrugën Gjakovë – Prizren ishte oroskop i vrapimit të tij maratonomak për gjysëm shekulli për të dhënë lajmin e fitoreve në luftërat e përgjakshme për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit e shumtë e të herëpashershëm.
Ai lindi gjatë rrugës që po transortoheshin nëna, familja e tij dhe të afërmit të arrestuar nga Sulltan Abdyl Hazisi.
Megjithëse pas 6 muajsh prindërit e tij u liruan ai u rrit në Vukaj, Koçanaj në Tropojë larg tyre.
Lindi binjakë me pushkën dhe ëndrrën për liri të cilat ia zëvendësuan dashurinë prindërore dhe ngrohtësinë familjare.
Dashuria për Atdheun dhe lirinë e tij ishin të shenjta për të.
Pa i mbushur akoma 18 vite mori pjesë në Ushtrinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve kombëtare të Plavë- Gucisë, në betejat e vitit 1879 -1880, përkrah Mic Sokolit, Sylejman Vokshit, ku djaloshi energjik i Malësisë së Gjakovës u shqua për trimëri të rrallë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit e brumosi me ndjenjën e atdhedashurisë dhe idealit nacional e ëndrrën me të cilën po burrërohej.
Pjesëmarrja në luftë, në moshë fare të re e pregatiti psikologjikisht, i farkëtoj karakterin e paepur, i kaliti qetësinë dhe durimin, i mprehu intuitën luftarake që do ta dëshmonte në sagën e gjatë të betejave për çlirim kombëtar, përmes shumë kasandrash me pushtuesit e shumtë e seperatist e shitur tek armiqtë e Kombit tonë për interesat e tyre meskine.
Emri i tij mori famë shumë shpejt dhe arriti të emrohej Komandant i xhandarrmërisë për Kosovën dhe fitoj gradën “Allajbeg”, Kolonel.
Ashtu siç kishte braktisur Gjergj Kastrioti gradat sulltanore për interesat arbërore edhe Bajram Curri e kishte me të shtrenjtë lirinë e Atdheut sesa karrierën ushtarake në Perandorinë Osmane, prandaj e braktisi atë dhe u bë Misionar i Kombit Shqiptar.
Ai ishte krahu i djathë i Haxhi Zekës ku së bashku me Isa Boletinit organizuan Lidhjen Shqiptare të Pejës “Besa -Besë”, vazhduese e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitet 1899-1900.
Në vitin 1892 kthehet në vendlindjen e tij në Vukaj, Koçanaj të Malësisë së Gjakovës formon një çetë luftëtarësh për të luftuar kundër Mustafa Pashë Durgutit.
Është një nga prijësit kryesor të Kuvendit të Ferizajt në vitin 1908, në përkrahjen kërkesës për vendosjen e Kushtetutës së xhonturqëve.
Mbrojti Alfabetin e Gjuhës Shqipe të Kongresit Manastirit të dt 14-22 nëntorit të vitit 1908, kontriboj në fushën e dijes dhe arsimit ku u investua në hapjen e klubeve dhe shkollave shqipe në Kosovë.
U zgjodh nënkryetar i Klubit Bashkimi në Shkup.
Mbështeti Kryengritjen e vitit 1910 kundër xhonturqëve, udhëhequr nga Idriz Seferi dhe Isa Boletini, të cilën shtypi botëror i kohës do ta quante revolucionin e parë të shqiptarëve kundër xhonturqëve.
Mbështeti fuqishëm Kryengritjen e Malësisë Madhe të 24 marsit- 6 prillit të vitit 1911, të udhëhequr nga Ded Gjon Luli, e cila u kurorëzua me sukses me ngritjen e Flamurit në bjeshkët e Deçiçit në Bratilë, për herë të parë pas afro pesë shekujsh robërie pas vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe u konkretizua me nënshkrimin e Memorandumit të Greçes.
Populli me të drejtë këtë ngjarje madhore e ka vargëzuar në këngë.
“Kruja e dytë Vlora e parë
Ded Gjon Luli flamurtar”.
Me dt 21- 25 maj të vitit 1912, mblidhen 250 delegatë nga të gjitha viset shqiptare në Kuvendin e Junikut, me nismën e Hasan Prishtinës, truri i hartimit të platëformës kombëtare për organizimin e kryengritjes së Përgjithshme dhe ideologu i Shtetit Komb të shqiptarëve.
Në këtë kuvend historik mbështetësit kryesorë të Hasan Prishtinës ishin Bajram Curri dhe Isa Boletini.
Motoja e tij ishte proklomata që lëshoj Hasan Prishtina.
“Shpetim a vdekje”.
Ketu filloj Kryengritja e Përgjithshme për shpalljen e Pavarësisë.
Ky Kuvend hartoj programin politik, ku sanksionohej autonomia e Shqipërisë, vendosja e administratës shqiptare, caktimi i Gjuhës Shqipe me Alfabet Kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritja e Flamurit Kombëtar në të gjithë vendin, garanci fuqitë e mëdha për realizimin e kërkesave.
“O Junik me kulla guri
Prej tek ti u nis Flamuri
N’Mitrovicë e n’Kaçanik
Thërret Kosova o Junik”, janë vargjet e këngës interpretuar me mjeshtri nga këngëtarja brilante Shkurte Fejza me rastin e 100- vjetorit të këtij Kuvendi që është gurëthemeli i Kryengritjes së Përgjithshme, prologu i Shpalljes së Pavarësisë, Nëntorit të Dytë, në Vlorën historike të Ismail Qemalit, me dt 28 nëntor 1912.
Bajram Curri ishte protagonist në Kryengritjen e Përgjithshme së bashku me forcat e tij të shumta.
Në korrik të vitit 1912 i thyen keq ushtritë osmane në Qafěn e Prushit dhe në fushën e Kosovës.
Sëbashku me Hasan Prishtinën, Idriz Seferin, Isa Boletinin, Riza Bej Gjakovën, Bajram Daklanin në krye të forcave kryengritese hyjnë në Shkup me 12 gusht të vitit 1912.
Bajram Daklani ngriti Flamurin Kuqezi të lirë.
Forcat e Bajram Currit liruan mbi 1000 të burgosur.
Hasan Prishtina në fjalimin e tij të zjarrtë para mijëra vetëve në Shkupin e çliruar kërkonte bashkimin e katër vilajeteve në një Vilajet të vetëm, me kryeqytet Shkupin.
Qeveria e xhonturqëve nga 14 pikat e kërkuara atëkohë nga Ati i Shtetit Komb pranonte vetëm 12.
Refuzimi i emërtimit të trojeve shqiptare si Shqipëri dhe i njohjes së popullit shqiptar si Komb Shqiptar, jo vetëm që ishin dëshpëruese për kryengritësit, por vihej në pikëpyetje ekzistenca e shqiptarëve në Ballkan.
Pranimi i 12 pikave nga Qëveria Turke do të mjaftonte për fuqitë e mëdha të kërkonin çarmatosjen e menjëherëshme, të detyrueshme të shqiptarëve, ndalimin e aksioneve luftarake dhe përfundimin sa më parë të kryengritjes së armatosur.
Kjo strategji e fuqive të mëdha vertetoj shumë shpejt se ishte parapregatitje e dorëzimit pa luftë të trojeve tona kombëtare vendeve pushtuese ballkanike të cilat më pelqimin e fuqive vendimmarrëse të kohës do të pushtonin e copëtonin pjesë të mëdha të Atdheut tonë.
Hienat do të suleshin në luftërat ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore për të shqyer sa të mundnin trojet e sterlashta iliro-dardano -arbërore.
Në këto kohë të vështira Bajram Curri luftoj në Kosovë për mbrojtjen e shtetit shqiptar kundër vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës të vitit 1913 që la jashtë kufijëve të Shqipërisë Londineze trojet arbërore të Kosovës.
Në vitin 1913 është njëri nga drejtuesit kryesorë të kryengritjes së armatosur kundër pushtuesve serbomalazezë.
Në vitin 1914 mori pjesë aktive në luftën kundër veprime antikombëtare e separatiste të Revoltës Haxhiqamiliste në Shqipërinë e mesme.
Sapo ushtritë austriake hyjnë në Gjakovë në vitin 1916 shkon menjëherë në mbrojtje të popullsisë dhe ruajtjes së rendit e qetësisë e zhvillimit arsimor.
Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” përkrah Hoxhë Kadri Prishtinës, Hasan Prishtinës, Qamil Balës, Bedri Pejanit, Sali Nivicës, Hafiz Ismet Dibrës.
Ky Komitet u themelua në Ilegalitet të plotë në Shkodër
me dt 1 maj të vitit 1918.
Qëllimi i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e Shtetit të Pavarur Shqiptar dhe e viseve të tjera shqiptare që ishin të shkëputura padrejtěsisht nga Konferenca e Ambasadorëve në Londrër në vitin 1913.
Pika e parë e programit të saj ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare.
Pika e dytë ishte me i dalë zot vetësundimit e anësisë territoriale të Shqipërisë.
Ky program i cili shihte edhe mundesinë e aksioneve luftarako- ushtarake për çlirimin e Kosovës u miratua për dy vjet deri me dt 30 gusht 1920.
Bajram Curri u ngarkua nga ky komitet ti dërgojë një protestë Konferencës së Paqes në Paris në vitin 1919, në të cilën kërkonte që ti njiheshin të drejtat e Shqipërisë dhe popullsisë shqiptare në Kosovë, ti jepej e drejta të shprehte lirisht aspiratën kombëtare.
Në Kongresin e Lushnjes Div Dragoi i Dragobisë siç e quan Noli Bajram Currin, në janar të vitit 1920 u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e emëroj ministër pa porofol të qeverisë së Sylejman Delvinës dhe Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
brenda harkut kohor të një viti Qeveria e Delvinës e çliroj vendin me forcat e veta nga ushtritë e pushtuesve të shumtë që kishin okupuar vendin nga Veriu në Jug, nga lindja në përendim.
Bajram Curri ishte Senator i Senatit të Dhomës sě Këshillit Kombëtar nga dt 27 mars deri me 20 dhjetor të vitit 1920.
Mbështeti qeverinë jetëshkurtër, disa ditore të Hasan Prishtinës me dt 7-12 dhjetor të vitit 1921.
Ai luajti rol të jashtëzakonshm për forcimin e demokracisë parlamentare.
Për shkak të përplasjeve të forta me Mbretin Zog për arsye të orientimit të gabuar sepse edhe gjenitë gabojnë dhe keqpërdorimit të emrit e peshes së madhe të tij u përfshi në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924 për rrezimin me dhunë të një qeverie të zgjedhur me votë.
Pas gjashtë muajsh Qeveria e Nolit deshtoj, Ahmet Zogu u kthye në pushtet.
Bajram Curri u kthye në Tropojë dhe vazhdoj të bënte jetë gjysëm legalese.
Me dt 29 mars 1925 në rrethana misterioze shuhet jeta e Dinosaurit shqiptar.
Historiografia komuniste dhe historianët mercenarë të diktaturës për shkak të urrejtjes ndaj Ahmet Zogut janë përpjekur për të ja faturuar vrasjen e Bajram Currit, se gjoja për të mos u lidhur e vrau veten.
Këto përralla tanimë janë bajate e nuk i haneps askush.
Pyetja shtrohet.
A mund ta vriste vehten Anteu i shqiptarizmit?!
A mund ta vriste vehten Dragoi i lirisë, Maratonomaku gjysëmshekullorë?!
A mund të zgjidhte atë fund Heroi ynë Kombëtar.
A mund të shkonte në amshim nga frika e përballjes tribuni popullor?!
Historiografia Komuniste e argumenton vetëvrasjen me dinjitetin e Bajram Currit, por nuk ka asnjë fakt.
Çfarë rreziku përbënte për Qeverinë e Zogut Bajram Curri që ta arrestonin.
Në qoftë se forcat e Ahmet Zogut kishin shkuar për të arrestuar Bajram Currin pse nuk arrestuan asnjë shoqërues të tij për mbështetjen e një njeriu që ka probleme me ligjin, në pamundësi të prangosjes së tij sepse ai për shkak të dinjitetit, për të mos rënë në dorë i gjallë vrau vehten?!
Po a u vra Bajram Curri?!
Sigurisht që po.
Po ku u projektua vrasja e tij dhe pse në këtë mënyrë?!
Misteri i kësaj vrasje prej gati një shekulli vetëm e madhështon veprën e Heroit Tonë.
Pyetja kush e vrau e pse e vrau do të na shoqërojë gjithmonë e do të mbetemi zemër thyer e shpirt plagosur derisa të zbardhim të vertetën?!
Për Div Dragoin e Dragobisë, Maratonomakun e lirisë, Anteun e Shqiptarizmit nuk kishte nevojë të gjendej një Herkul që e ngre nga toka për të ja hequr fuqinë nga Atdheu që iu kishte kushtuar 50 vite, por duhej një mendie diabolike, që komandon një dorë vrastare, për ti dhënë fund Heroit Kombëtar në mënyrë tragjike.
Jeta e tij u shua si eremit në Shpellën e Dragobisë.
Vrasja e tij e mistershme tronditi Malësinë e Gjakovës, mbarë shqiptarizmin.
Ajkuna e kohës, Xhufe Sylja e vajton trimin legjendarë me dhimbje dhe e quan vrasje të krejt Malësisë së Gjakovës që e kishte mbajtur e mbështetur për Kauzën Kombëtare.
“Ajo pushkë që t’ka marrë ty
Muer Malësinë shpi për shpi”.
Fan Noli e përshkruan me tragjizëm vdekjen e Bajram Currit.
“As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po vritesh
O Bajram bajrak i gjallë
More nam me gjak në ballë
Me zjarr të shenjtë u ngrit kjo shpellë
Gjer në qiell u ngrit Kështjellë
Për çlirimin e Shqipërisë
Katakomb i Dragobisě”.
Në 95 vjetorin e kalimit në amshim e kujtojmë me pietet e përkulemi me respekt para veprës së tij madhështore të derdhur në bronz, në shtatoren që ngrihet madhështore si Mali i Shkelzenit, në qytetin që mban emrin e tij, në Tropojë, Hasi ku prehen eshtrat e tij, krejt Kosova, Malësia e Madhe, Shkupi i Nënë Terezës, Vlora e Ismail Qemalit, Lushnja historike.
E kujton me nderim e respekt Kombi Shqiptar për sakrificën sublime gjysëmshekullore për lirinë e Atdheut.