Prof. Dr. Nebi Dervishi
Portret me rastin e dy përvjetoreve;
“105 VJETORI I LINDJES (1914) DHE 70 VJETORI I VRASJES MAKABRE (28 PRILL 1949) NGA DORA E UDB-së”
“I HESHTUR AS NË VARR NUK DUA TË JEM”
“SIMBOLI I QËNDRESËS MBARËKOMBËTARE-NË TREVAT LINDORE SHQIPTARE”
Siç ka nevojë një lis vigan për njëfarë largësie për t’u vlerësuar në madhështinë e plotë, ashtu janë pikërisht dhjetëvjeçarët, ata që u japin figurave të shquara të historisë kombëtare përpjesëtimet e vërteta, që lejojnë të gjykohet akoma më mirë për ato figura emblematike që çanë rrugë dhe pararendën drejt së ardhmes.
E tillë është dhe figura e ndritur e Dr. Nexhat Agollit, doktor i shkencave juridike, pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste në Shqipëri e Maqedoni, epror ushtarak në Brigadën e IV Sulmuese Shqiptare, anëtar i ASNOM-it, zëvendëskryeministër dhe ministër për Politikë Sociale në Qeverinë e parë të Maqedonisë Demokratike Federative, themelues i gazetës “Flaka e Vëllazërimit” dhe Radio Shkupit, atdhetar e punëtor i palodhur në hapjen e kurseve të para pedagogjike dhe i shkollës “Liria” në Shkup etj.
Natën e 28 Prillit të vitit 2019, mbushen plotë 70 vjet të vrasjes kriminale nga dora vrastare e UDB-së dhe OZNA-s në Sheshin qendror i cili sot quhet “Makedonija”, në qendër të Shkupit. Megjithatë, kanë kaluar plot 70 vjet nga kjo ngjarje makabre, figura e tij nuk ka mundur të zbehet dhe nuk do të mund ta bëjnë as vitet më tej në rrjedhën e tyre të pa ndalë, sepse, figura e këtij atdhetari, të këtij burri të shquar të kombit shqiptar në trevat lindore, do të jetojë përjetësisht në zemrat dhe memorien e këtij populli autokton.
Në momentin e vrasjes (28 prill 1949), Dr. Nexhat Agolli, i pati 35 pranvera, por megjithëse, ishte tepër i ri, në këto vite u bë simbol i qëndresës mbarëkombëtare. Dr. Nexhat Agolli, ia kushtoi gjithë jetën e veprimtarinë, gjithë aftësinë mendore, fizike e morale pa dyshimin më të vogël kauzës kombëtare, luftës për çlirim e bashkim kombëtar, përhapjes së arsimit e zhdukjes së analfabetizmit, sigurimin e të drejtave të vetëvendosjes së popullit shqiptar, për kulturën kombëtare si dhe për drejtësi e përparim. Dhe, për këto e shumë virtyte të tjera, me germa të arta historia e këtyre anëve e ka shënuar emrin e këtij biri besnik të kombit në analet e veta, sidomos kur është shprehur në shumë raste;”I HESHTUR AS NË VARR NUK DUA TË JEM”!
Historia evidenton, por nuk harron. Studiuesit dhe historianët e kanë për “hise” të shpalojnë të vërtetat, të ndriçojnë personalitetet, veprat e të cilëve kanë mbetur në katakombet e kazamateve, do të shprehej në një rast miku i shtrenjtë dibran Dr. Lutfi Turkeshi.(tani më i ndjerë)
Por, nuk qe as e lehtë dhe as e sheshtë rruga e jetës që e çoi Dr. Nexhat Agollin në këto vite të stuhishme e vendimtare të Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, në të cilat u përqendrua me një elan pune e intensitet të pashoq, të gjithë energjinë e tij të jashtëzakonshme në radhë të parë si kuadër i LANÇ-së, si propagandues i flaktë i çështjes së bashkim kombëtar, duke bashkëpunuar dendur edhe me Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare në Shkup e Prizren në vitet 1945/47, duke dhënë kontributin e pakontestueshëm në hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe, në botimin e gazetës “Flaka e vëllazërimit”, në hapat e para të Radio Shkupit si dhe në cilësinë e predikuesit të përparimit shoqëror e kulturor të kombit shqiptar.
Dr. Nexhat Agolli, lindi në vitin 1914, në Dibër të Madhe. Lindi në një familje bujare dhe patriotike dibrane. Mësimet e para i mori në Krumë të Kukësit në vitin 1928, më pas regjistrohet në gjimnazin e Tiranës, ndërsa studimet e larta të jurispondencës në Romë. Atje kryen studimet me notë të shkëlqyer dhe emërohet asistent në Fakultetin e Drejtësisë në Romë. Herët u inkuadrua në Lëvizjen Komuniste në Shqipëri, në vitet në mes dy luftërave botërore. Në vitin 1942 hyri në aradhat partizane në Shqipëri. Në vitin 1943 u kthye në Maqedoni dhe pa humbur kohë u inkuadrua në LANÇ-in. Ishte anëtar i Zonës së Parë Operative dhe në muajin tetor të vitit 1944 u kooptua në ASNOM-in. Ishte zëvendëskryeministër dhe Ministër për Politikë Sociale në Qeverinë e parë të Maqedonisë Demokratike Federative.
Në mungesë të materialeve arkivale dhe për të dalë më i plotë portreti kushtuar simbolit të rezistencës Dr. Nexhat Agollit, kam shfrytëzuar evokimet e disa bashkëveprimtarëve (Qemal Agollit-vëllai i Dr. Nexhatit, të gazetarit e shkrimtarit Murteza Peza etj.), si dhe punimet e gazetarit Mahi Nesimi, Dr. Lutfi Turkeshit, Ibrahim Egriut. Dr. Qerim Litës, Rexhep Tortes, Dr. Ibrahim Krosit, Shaban Brahës etj.
Dr. Nexhat Agolli, pas mbarimit të luftës kthehet në Shkup dhe zgjidhet ministër për Punë Sociale në Qeverinë e Parë të Maqedonisë. Ai, me guxim, punë, sinqeritet dhe intelektualitetin e vet kishte bërë që në masat e gjera shqiptare të këtyre anëve të gëzojë një simpati dhe autoritet të posaçëm. Thuajse të gjithë njerëzit kishin dëgjuar dhe dinin për të. Dhe, pikërisht nga këto premisa ishte halë në sytë e pushtetarëve sllavomaqedonas. Organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, punëtorët e UDB-së atë e përcillnin në çdo hap dhe natyrisht se këtë tentonin ta bëjnë më me sukses nëpërmjet njerëzve me të cilët ai kontaktonte shpesh.
Në muajin maj të vitit 1948, Dr. Nexhat Agollin e shkarkojnë nga detyra e ministrit në mënyrën që dalëngadalë të krijohen kushte për likuidimin e tij fizik nga skena politike e Maqedonisë. Pas shkarkimit, caktohet udhëheqës i një ndërmarrjeje ekonomike në Shkup. Me daljen e Rezolutës së Birosë Informative (28 qershor 1948, Nexhat Agolli solidarizohet plotësisht me të dhe pa humbur kohë fillon të propagandojë në favor të saj).
Në muajin korrik të vitit 1948, në Beograd mbahet mbledhja e Kuvendit Popullor të Jugosllavisë, ku në cilësinë e deputetëve marrin pjesë edhe Aqif Lleshi, Rifat Berisha, Sali Lisi e të tjerë. “Meqë ne kishim nevojë për të biseduar për situatën e krijuar në Jugosllavi dhe për qëndrimin që do të mbanim ne si shqptarë lidhur me Rezolutën e Inform Biros, unë,” evokon Qemal Agolli vite më vonë (1993, në një takim rasti në Strugë me autorin)”paraprakisht kuvendova me Nexhatin dhe vendosëm që së bashku me deputetët e tjerë shqiptarë në një konspiracion të plotë të takohemi, e të bisedojmë rreth situatës së krijuar. në fund të gjithë u pajtuam se është momenti që duhet t’i kundërvihemi politikës së mbrapshtë të Titos duke tentuar që të përpilojmë edhe një plan konkret të veprimit”.
Porsa u kthye në Shkup, aty nga fundi i muajit qershor të vitit 1948, Nexhati së bashku me disa udhëheqës të Maqedonisë tentuan të bëjnë një organizatë, e cila do ta mbështeste Rezolutën e Biros Informative. Nuk kaloi shumë kohë, agjenti i UDB-së Pllaninski, zëvendësministër i Asistencës Sociale e dekonspiroi grupin. Pas këtij akti, Nexhati me shokë do të arrestohej. Një natë vonë të 15.IV.1949, bëhet rrethimi i shtëpisë në të cilën jetonte Nexhat. Me të hetuar këtë, Nexhati e kishte të qartë se qëllimi është që të arrestohet ai, prandaj e merr mitralozin dhe e vendos në dritare për të qëlluar kundër hordhive të policisë. Mirëpo, në ato çaste bashkëshortja e tij me lutje të mëdha dhe me britma i hidhet në gjoks dhe ia kap mitralozin, duke e arsyetuar dhe duke pasur frikë se pasi të fillojë të gjuajë Nexhati, policia do të sulmonte shtëpinë dhe do t’i vriste edhe anëtarët e tjerë të familjes dhe fëmijët. Në atë moment ndalet policia, troket në derë, futet brenda dhe e arrestojnë. Me arrestimin e Nexhat Agollit agjentët e UDB-së dhe hetuesit, për të zbuluar nga ai diç më tepër se informacionet i kishin, ndaj Nexhat Agollit i përdorën të gjitha format dhe metodat më shtazarake të njohura e të panjohura në trupin e njomë, për ta mposhtur psiqikisht e fizikisht. Atë e vunë nën torturat më çnjerëzore për ta detyruar që të tradhtojë çështjen e shenjtë kombëtare dhe bashkeluftëtarët e tij ilegalë që kishte në Shkup e Prizren, siç ishin; Xheladin Hana i Gjakovës, Rifat Berisha i Drenicës e shumë e shumë të tjerë si nga Kaçaniku, Gostivari, Dibra, Struga e të tjerë. Udbashët e Beogradit e mbytën në mënyrë shtazarake, duke e torturuar gjatë natës së 27 dhe 28 prillit të vitit 1949 në njërën nga qelitë e burgut të Shkupit. Trupi i pajetë, i përshkuar nga bajonetat e udbashëve, u bart nga qelia e njomur me gjakun e tij dhe u vendos pas mesit të natës në ora 2 në qendër të Sheshit të Shkupit, para shtëpisë së oficerëve, në fillim duke e nxjerrë nga makina me të cilën e transportuan atje, e largojnë 10-15 metra dhe nga kjo distancë kanë gjuajtur në kufomë. Më pas i kanë thirrur njerëzit e Prokurorisë dhe të Gjykatës së Lartë për të bërë procesverbalin e vrasjes, gjoja se ai ka dashur të arratiset nga burgu, por në ndërkohë, këta e kanë zënë dhe e kanë futur në makinë dhe se ai nga makina përsëri ka tentuar për t’u arratisur, me çka kinse ka shkatërruar edhe dorezën e makinës. Pas torturave shtazarake në burgun e Idrizovës dhe ekzekutimit të kufomës në Sheshin e Shkupit, trupi i pa jetë i Dr. Nexhat Agolli në konspiracion të plotë nga personat e UDB-së varroset në atarin e fshatit Matkë të Shkupit.
Ka jetë njerëzish, fati i të cilëve përcaktohet. Por, nëse ky fat lidhet me atë të një populli të tërë, pra me lirinë e tij, atëherë bën pjesë në radhët e atyre që kombi i do dhe i respekton. Dhe padyshimtin më të vogël Dr. Nexhat Agolli u përketë këtyre njërëzve që mbajtën dhe nuk e thyen besën e dhënë atdheut.
Dhe fare në fund, po e them me bindje të plotë se Dr. Nexhat Agolli si luftëtar i ditur dhe i guximshëm e atdhetar i papërkulur në vitet 1943-1949 për shqiptarët në trevat lindore etnike qe kthyer në legjendë, ndërkaq vepra e legjenda mbetën prore burim frymëzimi. Ai përbën njërën nga figurat më të kompletuara me dije, me botëkuptim të thellë kombëtar dhe plot virtyte për çka meriton nderime të larta e të amshuara. Figura dhe vepra e tij në një moshë për t’u admiruar 35 vjeçare, përbën kushtrim për liri e bashkim kombëtar.
Strugë 19, prill, 2019